Fundjava e Monte Karlos në Formula 1 është hapur dje me konferencën tradicionale të pilotëve. Lideri i kampionatit, Andrea Kimi Antoneli, theksoi se Ferrari është skuadra favorite për suksesin në Principatë.

“Ferrari do të jetë shumë i fortë, pa asnjë dyshim. Për mua ata janë favoritët e fundjavës. Është një makinë që përshtatet shumë mirë me pabarazitë e pistës dhe në frenime performon në mënyrë të shkëlqyer. Duke parë edhe historinë, Ferrari ka qenë gjithmonë konkurruese në Monako, madje edhe në sezonet kur ka hasur vështirësi në pista të tjera”, u shpreh fillimisht piloti i Mercedesit.

“Monako është gjithmonë e veçantë. Është një fundjavë unike dhe mezi pres të zbres në pistë. Kemi sjellë një krah të ri të pasmë dhe synimi ynë është të paraqitemi sa më mirë, duke nisur që nga e shtuna, dita që tradicionalisht konsiderohet vendimtare në Monte Karlo”, shtoi italiani, i cili komentoi edhe agresivitetin e treguar Kanada mes tij dhe shokut të skuadrës, Xhorxh Rasëll dhe duelin brenda Mercedesit.

“Pas garës në Kanada folëm me Rasëllin dhe zhvilluam një takim me skuadrën përpara se të vinim në Monako. E dimë se çfarë nuk duhet të përsëritet mes nesh në pistë. Kur lexova komentin e Xhorxhit, i cili tha se unë mund vetëm ta humbas këtë kampionat, buzëqesha pak. Nuk ka kuptim të flitet për gjëra të tilla kaq herët. Si mund të humbasësh diçka që nuk e ke fituar ende? Nuk jam kampion bote, ndaj çfarë do të kisha për të humbur…?”, u shpreh Antoneli.

NORRIS – Kampioni në fuqi i botës në F1, Lando Norris, nuk po zhvillon një sezon si protagonist, i renditur i pesti, pa asnjë fitore. Britaniku i MekLarenit një vit më parë triumfonte në Monte Karlo, por tashmë është i vetëdijshëm për vështirësitë, ndonëse shfaqet me një optimizëm të moderuar. “Besoj se vitin e kaluar ishim në një pozicion më të favorshëm këtu. Nuk jemi në të njëjtin nivel, por mbetemi optimistë. Objektivi ynë është ‘pole position’-i, që më pas të mund të synojmë fitoren.

Mendojmë se kemi shanset tona, por duhet të jemi realistë, pasi Mercedesi dhe Ferrari janë shumë të forta. Kemi qenë konkurrues së fundmi në Montreal dhe pista kanadeze ka disa ngjashmëri me Monakon për sa i përket shpejtësisë dhe nivelit të ulët të kapjes. Kjo na jep besim, por njëkohësisht mbajmë këmbët në tokë, sepse ende na mungon diçka për të qenë në nivelin maksimal”.

I pyetur për eventi jubilar që shënon 1000 Çmime të Mëdha të MekLarenit, Norris shprehet: “Jam jashtëzakonisht krenar që jam pjesë e një historie kaq të gjatë dhe të suksesshme, dhe mbi të gjitha që jam piloti me më shumë gara të zhvilluara për këtë skuadër. Të garoja për MekLarenin ka qenë ëndrra ime që kur isha fëmijë.

Siç e dinë të gjithë, nuk jam adhurues i statistikave dhe nuk më pëlqen kur më kujtohen vazhdimisht, por kjo është një arritje për të cilën ndihem veçanërisht krenar. Është fantastike të shoh emrin tim përkrah kampionëve të mëdhenj që kanë fituar tituj me MekLaren. Synoj ta arrij edhe unë këtë dhe ndërkohë jam krenar që kam kontribuar në rikthimin e skuadrës në majat e Formula 1. Ndihem me të vërtetë me fat”, deklaroi Norris.

VERSHTAPEN – Dy fitore në Monte Karlo për Maks Vershtapen (2021 dhe 2023), me holandezin që shfaqet i rezervuar para eventit në Principatë. “Nuk e dimë ende se si do të shkojmë këtu. Monako gjithmonë sjell surpriza, por realisht makina jonë performon mirë në pistat me kthesa të shpejta. Këtu, megjithatë, është thelbësore të jesh i fortë në kalimin mbi bordurat dhe ne nuk jemi në nivelin e duhur në këtë aspekt.

Na nevojitet më shumë qëndrueshmëri mekanike dhe më shumë fuqi. Duhet të arrijmë t’i sjellim gomat në dritaren optimale të funksionimit dhe të jemi konkurrues në çdo situatë. Në Montreal na mungonte shpejtësia maksimale dhe as në kthesa, as në seksionet me asfalt më të pabarabartë nuk ishim ndër më të mirët. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Si gjithmonë në Monako, kualifikimet do të jenë vendimtare, aty duhet të japim maksimumin”, deklaroi piloti i Red Bullit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb