TIRANE– Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e Suela Sulës, ngjarje që ndodhi dy vite më parë në Shkodër, për të cilën është implikuar burri i saj. Në gjykatën e Krimeve të Rënda, prokurori paraqiti 5 regjistrime audio të kryera nga viktima në shtator 2015 që janë transmetuar sot për herë të parë. Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje direkte për ‘News24’ tha se Sadetin Sula i dëgjoi i heshtur këto biseda të regjistruara nga bashkëshortja.

Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se në përgjimet audio dëgjohej debati mes çiftit Sula në ambientet e mobilerisë. Sadetin Sula e akuzonte Suelën se djalin e tretë nuk e kishte me të. Fill pas këtij debati, Suela shpërthen ndaj burrit të saj, ndërsa i kërkon atij që të shkojnë në gjykata për të vërtetuar nëse fëmija ishte i tij apo jo, madje në audio dëgjohet edhe se gruaja i kërkon ndarjen. Pasi u zunë, Sadetin i merr telefonin bashkëshortes dhe e fut në xhepin e xhaketës së tij, ndërsa nuk ishte në dijeni që regjistrohej. Lala tha se për 11 orë me radhë telefoni ka regjistruar biseda që komprometojnë të pandehurin se ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij, ngjarje që ndodhi në Shkodër.

Në audio dëgjohet dhe një bisedë që Sadetini ka bërë me një person me emrin Fation Karmeshta, i cili dyshohet si ekzekutor i Suela Sulës. Teksa i ankohej për faktin se gruaja nuk i nënshtrohej, Karmeshta i thotë Sadetinit se këtë punë do ta rregullonte ai. Fationi i tha se ‘do ta nënshtroj gruan tënde duke i bërë magji’. Ai i kërkon para në këmbim që gruaja t’i nënshtrohej.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb