Ekipi i Beneventos ka marrë pikën e parë në “Seria A” pasi sot në shtëpi është ndalur në një barazim 2-2 me Milanin. Ekipi ku militojnë edhe dy futbollistët e kombëtares shqiptare Ledian Memushaj dhe Berat Gjimshiti barazoi në minutat e fundit falë një goli të portierit që realizoi me kokë.

Fillimisht ndeshja u zhbllokua në minutën e 38-t nga Jack Bonaventura, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë vendasit barazuan përkohësisht me George Puscas. Të besuarit e Gatusso-s që sot drejtonte për herë të parë “djallin” pas shkarkjimit të Montella-s arritën të merrnin edhe një herë avantazhin me Kaliniç në minutën e 57-të.

Ndeshja më pas vijoi pa raste dhe me një ritëm të ulët derisa Romagnoli në të 75-n u largua me të kuq duke lënë ekipin e Milanit me 10 lojtarë. Benevento filloi të besonte dhe në minutën e 95-t falë portierit Brignoli që la portën realizoi me kokë duke mposhtur Donnarumma-n dhe njëkohësisht duke marrë pikën e parë në kampionat.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: