Gazetari dhe analisti Berat Buzhala ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike e Shqipërisë, duke u ndalur te gara për kreun e partisë, ku kandidon i vetëm Sali Berisha. Në një analizë me tone ironike, Buzhala vë në dukje faktin se Berisha vijon të rikandidojë për drejtimin e partisë, duke e krahasuar situatën me periudhën e viteve ’90, kur ai ishte në fillimet e karrierës politike. Sipas Buzhalës, është “qesharake” të mendohet se Berisha mund të jetë ende një figurë aktive dhe konkurruese në politikën e sotme.
Analisti shprehet se, sipas militantëve të PD-së, përgjegjësia për qëndrimin e gjatë në pushtet të Edi Ramës i atribuohet të gjithëve, përveç vetë Berishës. Ai ironizon këtë qëndrim duke theksuar se “askush tjetër nuk e rrëzon Ramën përveç Berishës, por nuk dihet se kur”. Buzhala shkon më tej, duke deklaruar se, në fakt, vetë Berisha është faktori kryesor që e mban Ramën në pushtet, pasi sipas tij, mungesa e një alternative të re dhe bindëse në opozitë i jep avantazh mazhorancës.
Buzhala kritikon edhe narrativën e opozitës lidhur me proceset zgjedhore, duke theksuar kontradiktën mes pretendimeve për mungesë zgjedhjesh dhe pjesëmarrjes së vazhdueshme në to. “Nëse nuk ka zgjedhje, por vetëm votime, atëherë pse merrni pjesë?”, shtron pyetjen ai.
Në analizën e tij, Buzhala prek edhe zhvillimet në drejtësi, duke përmendur veprimet e SPAK ndaj figurave politike si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca. Ai nënvizon se hetimet dhe arrestimet kanë përfshirë emra të rëndësishëm nga të dy krahët politikë, duke sfiduar narrativat për drejtësi selektive. Në përfundim, analisti e cilëson situatën në opozitë si paradoksale, duke ironizuar se për disa mbështetës të saj, çdo zhvillim që nuk favorizon Berishën konsiderohet automatikisht si i kontrolluar nga qeveria.
“Pas disa ditësh ose javësh, pritet që PD të zgjedhë kryetarin e saj. Kandidati i vetëm për këtë pozitë është i njëjti që ka qenë dhe në vitin 1991, doktor Sali Berisha, i cili në tetor i rrafshon 82 vjet. Në vitin 1991 Maradona ka qenë futbollist aktiv, kurse Bashkimi Sovjetik është drejtuar nga Mihael Gorbaçovit të famshëm dhe Jugosllavia nga Mesiç. Një vit më herët u pat liru nga burgu pas 27 vitesh Nelson Mandela, mirëpo nëse rastësisht ti guxon me shku në një studio televizive në Shqipëri ku ka mbështetës të Berishës, e ti i përmend këto fakte, atëherë përgatitu mirë me u përgjigj në akuzën inkriminuese; pse ti po i bën opozitë, opozitës? Sa po të paguan regjimi i Ramaduros? Sipas militantit mesatar të Berishës, pse Rama është në pushtet këto 13 vite është faj i të gjithëve përveç Berishës jo.
Askush tjetër nuk e rrëzon Ramën nga pushteti, përveç Berishës, s’dihet kur. E kam thënë se nuk bën pjesë në mësim e atyre njerëzve që nuk e shohin anën e mirë të biografisë së Berisha këto 4 dekada. Por është qesharake që të mendohet se është aktivisht në politikë. Nëse ka një njeri që e mban në pushtet Edi Ramën, që e bën djalosh atë, është Sali Berisha. Analisti mesatar duhet me i gjet dy të zeza që ka bërë Berisha.
Nëse ka një njeri që e mban në pushtet Edi Ramën dhe e bën të duket djalosh, ai është Sali Berisha. Sado ironike të duket, nëse ka një njeri që Rama e financon me dëshirë si argat politik të vetin, ai është Sali Berisha. Vendose veten në pozitën e Ramës. Cilin kundërshtar preferon ta kesh përballë? Dikë që po futet në dekatën e 9 të jetës së tij, apo këdo tjetër?
Opozita e ka gjetur një kandidat të ri në Turqi, e ka provuar, por Edogan e ka futur në burg. Edhe kur pushteti është autokratik, opozita fiton zgjedhjet të paktën në kryeqytet. Kurse Berisha i ka fituar zgjedhjet vetëm në Kavajë. Mbështetësit e Berishës thonë; në Shqipëri nuk ka zgjedhje, ka votime. Nëse është kështu, pse po merrni pjesë në zgjedhje? Si në futboll ku mendohet se arbitri është i korruptuar. Ku është rezistenca qytetare? Mbrojtja më komike e opozitës shqiptare, opozitës së lashtë, është se pushteti po i arreston krerët e tyre duke nënvizuar Metën, aktakuzën ndaj Berishës. Se di se kush idiot gëlltit këto broçkulla.
U arrestua Erion Veliaj, ish-ministri Beqaj, po e kërkon të arrestohet Balluku. Për Belindën dhe çka po ndodh në PS dhe qeverisje, e njëjta prokurori po kërkon që të arrestojë Arben Ahmetajn që është në arrati. SPAK po arreston krejt njerëzit më të afërt të Edi Ramës. Mirëpo për Berishën, prokurorët e SPAK mund ta tregojnë pavarësinë, vetëm kur të arrestojnë Ramën në zyrë, të ndalojnë PS me konkurru me ligj në zgjedhje dhe pushtetin ta dorëzojnë përkohësisht në duart e Berishës, deri sa të vendoset demokracia në Shqipëri. Çdo gjë më pak se sa kaq, është vepër e Edi Ramës.”, pohon Buzhala.
