Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për diasporën, Jozefina Topalli, ka komentuar në “Open” në News24 çështjen e shpalljes “non-grata” të liderit të PD, Sali Berisha, duke deklaruar se kjo betejë është fituar prej tij që në momentin kur rimori drejtimin e partisë.
Topalli u ndal edhe te ndryshimet në administratën amerikane, duke lënë të kuptohet se vendimi për “non-gratën” ndaj Berishës ishte i ndikuar politikisht dhe se perspektiva mund të ndryshojë. Ajo akuzoi Edi Ramën dhe Lulzim Bashën si pjesë e një lobimi të përbashkët në SHBA për shpalljen e Berishës të padëshirueshëm.
“Kur dëgjoj Ramën të rikujtojë çështjen e non-gratës, më vjen ndërmend momenti kur i tha Berishës në Kuvend se nuk do kalonte dot oqeanin – një shenjë se kjo ishte një lëvizje e planifikuar,” tha Topalli.
Sipas saj, që prej ardhjes në pushtet, Rama ka ndjekur një strategji të qartë jo përmes qeverisjes së mirë, por përmes shkatërrimit të opozitës.
“Në 8 vitet e para e kishte në xhep kryetarin e opozitës, Bashën. Kur ishte Berisha, e arrestoi,” përfundoi Topalli.