Ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar vitin e ri 2022 me anë të një videomesazhi.

Ai e konsideron këtë vit si një medalje me dy anë, njërën të shndritshme dhe tjetrën të errët. Në këtë të fundit, ai radhit vjedhjet që sipas tij ishin të kapura dhe mandatin e tretë e qeverisë Rama.

Në anën e shndritshme të medaljes, Berisha radhit foltoret dhe Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, që sipas tij, i kanë kthyer Shqipërisë shpresën.

“Të nderuar qytetarë dhe qytetarë shqiptarë. Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Me këtë rast ju uroj gëzuar vitin e ri 2022. Të jetë ky vit për ju me gëzime, suksese dhe mbarësi. Uroj të festoni të gëzuar, në udhëtime, spitale e institucione të mbrojtjes së dënimit. Siç është zakon secili nga nesh bën një bilanc. Viti që lamë pas shëmbëllen një mdelje me 2 anë. Njëra anë është e tmerrshme, e zezë. Ndërsa ana tjetër, është medalje ari, e shndritshme. Në anën e zezë të kësaj medalje ato që do të vijnë pas nesh do të lexojnë fatkeqësitë siç janë mandati i 3 i narko-shtetit, zgjedhjet më të rrënuara të historisë së këtij vendi. Lexuesit do të lexojnë aktet madhore të tradhtisë kombëtare nga regjimi aktual. Po në këtë anë gjendjet i gdhendur akti politik më makabër i këtyre 30 viteve. Përpjekja e hapur për asgjësimin e pluralizmit politik shqiptar jo vetëm nëpërmjet dhunimit masiv të procesit elektoral, por më e keqja nëpërmjet marrjes peng të opozitës shqiptare. Fatmirësisht ky vit ka edhe anën tjetër të medaljes.

Në një moment kritik për pluralizmin politik shqiptar. Në një moment kritik për ekzistencën e opozitës së vërtetë shqiptare. Opozita shqiptare u ngrit si feniksi nga hiri, nga letargjia dhe gjendja e kohës që e kishte zhytur narkoshteti. Për herë të parë në historinë e një opozite, do të ishte anëtarësia që do të merrte në dorë fatet e partisë më të madhe opozitare dhe fatet e pluralizmit. Muajt e fundit të këtij viti ishin muajt e mrekullisë së lirisë. Ishin muajt ku sovrani mori në duart fatet e opozitës, në një seri foltoresh vloi ajo që unë e kam quajtur revolucioni demokratik i vitit 2021. Ky revolucion u kurorëzua me Kuvendin Kombëtar të paparë ndonjëherë në histori, të thërritur nga anëtarësia. Aty u morën vendime historike për të ngritur opozitën shqiptare në lartësinë e idealeve, për të rikthyer votën e lirë në gjirin e PD dhe për të larguar një besëprerë, një njeri i cili në tetë vite rrënoi shpresat e demokratëve shqiptarë. Shkelmoi mbi lumenjtë e djersës, mundit e sakrificës për të çliruar Shqipërinë nga narko-shteti. Unë duke përfunduar këtë mesazh ju uroj nga zemra gëzuar vitin e ri 2022. Le të jetë ky vit plot shëndet, mbarësi, suksese e të mira për ju, familjet tuaj e të afërmit kudo që janë. Gëzuar!”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb