Gjatë debatit në studion e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili, midis analistëve Andi Bushati dhe Artur Zheji është diskutuar për fatin e Partisë Demokratike, pas rikthimit në krye të saj të Sali Berishës.

Bushati argumentoi se ambasadorët nuk mund të dalin e të fajësojnë Berishën pse po prishte reformën në drejtësi, kur nuk bëjnë të njëjtën gjë me Edi Ramën.

Ai shtoi më tej se nga diplomatët e huaj kërkon gjithashtu që të mos diktojnë zgjedhjen e deputetëve në Shqipëri, pasi theksoi se lidershipit të PD i ishte kërkuar nga ambasadorja e SHBA-ve “kapitullimi” i ish-kryeministrit.

“A mundet ambasadorët të na vijnë nëpër zyra dhe të thonë ky mund të jetë deputeti jonë dhe ky tjetri s’do jetë. Gjithë ish-lidershipi i PD ka thënë se na erdhi Kim dhe na tha do merrni fund po nuk iku Berisha”, tha Bushati.

Por, analisti Artur Zheji ndau një tjetër pikëpamje mbi drejtimin e PD-së nga Berisha i shpallur non-grata, duke thënë se pa mbështetjen e amerikanëve apo europianëve, vendi ynë do të kalonte në kaos.

“Unë jam antioksidental. Kjo është platforma ime nga ku derivojnë qëndrimet e mia. Nëse një politikan i prish marrëdhëniet me perëndimin dhe është themeluesi që e ka hapur dikur partinë me perëndimin është një hap pas. Mendoj që guri i provës për një vend, se ne nuk jemi të zotë të qëndrojmë si shtet. Ne jemi një vend që kalojmë në kaos pa policën ndërkombëtare. Ne jemi një vend i paparashikueshëm. Më mirë një polici ndërkombëtare se anarkia e rrugaçëve”, theksoi Zheji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb