TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur diskreditim të procesit të hetimit videon parodi të aktorit të humorit Besart Kallaku, i cili në rolin e një të penduari tregon porositë e marra për vrasje nga politikanët për njëri-tjetrin. Në faqen e tij të Facebook, Berisha shkruan se “Meta u kap fort për ti shpëtuar akuzave për vrasjen e dy deputetëve tek Kallaku i Çakullit”. Sipas tij, kreu i kuvendit dërgoi Kallakun në oborrin e Prokurorisë pasi deshi të bindi falangat e tij se procesi i hetimit për akuzat për vrasjen e dy deputetëve është thjesht si një skeç, të cilin ai e kontrollon plotësisht.

Berisha iu bën thirrje qytetarëve të bashkohen për protesta për të hedhur murin e krimit të pushtetarëve të maxhorancës me moton “t’i hedhim qelbësirat”.

“Meta dhe Kallaku i Çakullit! Të dashur miq, Ilir Meta, pas akuzave me zë dhe figurë direkte të Tom Doshit dhe dorësit Durim Bami se kishte porositur vrasjen me pagesë të deputetëve Doshi dhe Fufi, njëlloj si i mbyturi që kapet ku të mundet, u kap tek torba e zezë e Takut ku Meta mban kokainën e Gëzim Çelës, me paratë e së cilës do paguante punët dhe porositë e veta. Së fundi Meta u kap fort për ti shpëtuar akuzave për vrasjen e dy deputetëve tek Kallaku i Portokallisë se Çakullit. Kështu, në një akt prej ordineri të denjë vetëm për njerëz të lidhur me krimin si ai, Meta, për të diskretituar procesin e hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dërgoi në oborrin e kësaj prokurorie Kallakun e Portokallisë të Çakullit. Meta me këtë akt të padenjë deshi të bindi falangat e tij se procesi i hetimit për akuzat për vrasjen e dy deputetëve është thjesht si një skeç i Portokallisë, të cilin ai e kontrollon plotësisht. Me Kallakun e tij në oborrin e prokurorisë që heton akuzën më të rëndë në historinë e pluralizmit dhe vendosjen e këtij akti të shëmtuar nga Rama në FB e tij, Meta dhe Rama me cinizëm ekstrem dhe poshtërim ndaj një institucioni shtetëror u thonë prokurorëve të shtetit që hetojnë çështjen “dëgjoni ju, se rezultati i hetimit tuaj është një dhe vetëm një, ky që deklaroi Kallaku në oborrin tuaj”. Të dashur qytetarë, zërit, zemërimit, thirrjes së qindra mijëra burrave dhe grave, të rejave dhe të rinjve, më 12 mars në rrugët dhe sheshet e Tiranës për dorëheqjen e tij, Ilir Meta në një akt përçmues dhe tejet fyes ndaj jush iu përgjigj me dërgimin e Kallakut të Portokallisë në oborrin e Prokurorisë së Shtetit për t’iu thënë ju se për atë nuk mund të vendosi Prokuroria por për të vendos Kallaku i tij, dhe ju protestoni sa të doni!! Prandaj ju bëj thirrje ju qytetarëve të mbarë vendit të vazhdojmë me vendosmëri protestën, betejën tonë, misionin tonë historik për të bërë jetën tonë dhe të fëmijëve tanë të sigurt duke hedhur sa më parë murin e krimit të pushtetarëve të mazhorancës së qelbësirave nën moton, “t’i hedhim, t’i hedhim, t’i hedhim qelbësirat!! sb”, shkruan Berisha në facebook.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb