TIRANË- Ish-­kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë garanci Arben Frrokut që të largohet nga Shqipëria drejt Kubës. Arben Frroku është i akuzuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e komisar Dritan Lamajt. Rreth një javë më parë, Gjykata e Apelit pranë Krimeve të Rënda e dënoi Frrokun me burgim të përjetshëm, ndërkohë që rreth vendndodhjes së tij ka ende mister.

Në një koment të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan se Edi Rama është takuar me Arben Frrokun pranë turizmit në Pukë. Berisha rithekson se Rama e ka përdorur Frrokun për të blerë vota në këtë zonë, ndërsa në këmbim thotë se kreu i qeverisë i ofroi garanci për largimin nga Shqipëria.

“Por një rast po kaq i rëndë dhe i shëmtuar është përcjellja që i bëri Edi Rama në Kubë Arben Frrokut, vrasësit të komisarit Dritan Lamaj, pasi përmbushi misionin e blerjes së votave në rrethin e Pukës dy ditë para zhvillimit të seancës gjyqësore dhe dënimit në mungesë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit. Rama takoi dhe piu një birrë të ftohtë në turizmin e Pukës, si të thuash i dha lamtumiren Arben Frrokut që të nesërmen do të nisej me detyrë në Kubë nga Partia. Frroku kaloi kufirin pa u regjistruar në sistemin TIMS, i cili si rastësisht në atë moment ishte prishur, madje ai kaloi edhe pa ju vulosur pasaporta pasi po rastësisht atë moment policit të partisë në Muriqan i kishte humbur vula”,­ shkruan Berisha.

Ish-­kryeministri shkruan edhe për vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkodër për Sokol Mjacajn, të akuzuarin për vrasjen e dy turistëve çekë të premte e shkuar, ndërsa e quan të drejtë kërkesën e bërë nga ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, për inspektimin e atij vendimi. “Ne mediat konvencionale dhe ato sociale shprehet një indinjatë e thellë dhe mendoj unë e ligjshme, mbi përgjysmimin nga 10 në 5 vite nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, Mjacajt, vrasësit të turistëve çekë për pjesëmarrjen e tij në vitin 2010 në vrasjen e një djali 13-vjecar. Madje ministri Naço me të drejtë ka vendosur të dërgojë kontrollin në këtë gjykatë.”,­shkruan ish-kryeministri, Sali Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: