Studiuesi dhe gazetari amerikan, Matt Palumbo prezantoi këtë të premte në Tiranë librin e tij më të fundit për George Soros, ‘Njeriu mbrapa perdes’. I pranishëm në promovimin e librit, lideri historik i PD, Sali Berisha vlerësoi Palumbon për guximin dhe heroizimin në zbërthimin e rrjetit të Soros, të cilin e quajti armik të vlerave të demokracisë në Shqipëri.
Sipas tij, Sorosi ka financuar 32 miliardë dollarë rrjetin e tij mafioz për të goditur demokracinë dhe sistemin financiar në vende të ndryshme të botës.

Berisha tregoi përplasjet me George Soros të cilat datojnë që nga fillimi i viteve ’90, kur sipas tij, miliarderi amerikan financonte organizatat e majta marksiste-leniniste nën petkun e Shoqërisë Civile.

Gjatë promovimit të librit të Matt Palumbo, “Njeriu mbrapa perdes”, i cili është një zbërthim i rrjetit të Soros, Berisha tha se manjati amerikan qëndron pas kapjes së Reformës në Drejtësi, si dhe mban autorësinë e idesë për spastrimin etnik të Veriut të Kosovës dhe nismës Open Balkan.

“Unë e kam cilësuar atë armik të vlerave të demokracisë në Shqipëri, armik të interesave tona kombëtare. Ka shpërndarë gjer sot për rrjetin e tij mafioz 32 miliardë dollarë. Ka korruptuar guvernatorë dhe ka sjellë drama të tmerrshme njerëzore në Tajlandë, në Indonezi, në Itali, në Britaninë e Madhe.
Për kuriozitetin e shkrimtarit e them këtu se u detyrova të përzë dy bashkëpunëtorët e tij nga Shqipëria, për arsye se u kapën në flagrancë duke bashkëpunuar me rezidencin jugosllav në Tiranë. Por ajo që i vuri kapakun çdo gjëje ishte Reforma në Drejtësi”, deklaroi Berisha.

“Në verë, në pikë të zhegut vjen këtu një deputet gjerman në Parlamentin Europian dhe papritur, pa kujtuar bën një konferencë, unë kujtova se erdhi për pushime, se në atë kohë nuk kishte dhe aktivitete parlamenti. Mbledh mediat dhe iu thotë Berisha gabim e ka, sepse Berisha është lider i fortë, pse sulmon Sorosin ai. Dhe i them unë, miku im Knut, me George-in ruaje miqësinë, por këshillat mos ia dëgjo atij. Takohet me NGO-të e Sorosit dhe iu thotë atyre, mos u mërzisni nga deklaratat e Berishës, se ai po bën punët e Putinit. Ato shkrihen gazit, sepse thanë vetëm kjo nuk mund t’i thuhet atij”, tha Berisha

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: