Kandidatja e LSI në Qarkun e Vlorës, Grisejda Myslimi ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinj nën shoqërinë e aktorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Dy artistët e njohur kanë mbështetur Myslimin për angazhimin në politikë si një e re që duhet të përçojë zërin e të rinjve në Parlamentin e ardhshëm.

“Me të rinj që do përfaqësojnë të rinjtë në Kuvendin e ardhshëm, të promovohen vlerat e të rinjve dhe të krijohen mundësitë të rinjtë realisht të jetojnë në vendin e tyre dhe të punojnë në Shqipëri”, tha aktori Bes Kallaku.
“LRI madje ka qenë e vetmja që i ka dhënë mundësi dhe ka qenë zëri i rinisë”, tha Myrtezaj.

Grisejda Myslimi falënderoi dy artistët për mbështetjen teksa theksoi se për të rinjtë është e vështirë të ecin në Shqipëri dhe se një nga projektet e saj është zhvillimi i potencialeve dhe talenteve të reja.

“Falënderoj Besin dhe Xhensilën që ndodhen këtu sot për të na dhënë mbështetje dhe kurajë në betejën tonë drejt fitores. Besi dhe Xhensila e dinë shumë mirë sesa e vështirë është për të rinjtë që të ecin në Shqipëri dhe kjo është edhe arsyeja pse unë sot jam shumë krenare që ndodhem përkrah dy njerëzve që përtej vështirësive që mund të kenë hasur ia kanë dalë që të kenë sukses. Një nga synimet e mia është që në momentin që të shkoj në Parlamentin e Shqipërisë të vazhdoj projektet e mia me Besin dhe me Xhensilën për zhvillimin e potencialeve dhe talenteve të reja”, tha Myslimi.

Teksa aktori Bes Kallaku i kërkoi të bëhet një zë shumë i madh dhe shumë i fuqishëm i mirëarsimimit në Shqipëri. “Meqë je dhe pedagoge, ashtu siç i ke dhe gjithë këto shokë edhe miq këtu rreth vetes ashtu do na kesh dhe ne”, tha Kallaku.

Myslimi deklaroi se qëllimi i saj është të jetë zëri i të rinjve.

“Unë të gjithë pjesëtarëve të LRI u kam premtuar që qëllimi im, e para njëherë parimi im është ta dua shumë vendin tim dhe qëllimi im është që të shkoj atje dhe të jem për këta, të jem zëri i tyre dhe të ngre çdo lloj problemi që ka Vlora dhe mbi të gjitha që kanë të rinjtë e Vlorës”, u shpreh kandidatja për deputete e LSI.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb