Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, me rastin e mbylljes së mandatit zyrtar të Shqipërisë në kryesim të KS të OKB, përcjell përgëzimet e tij për trupin diplomatik të vendit tonë.

Reagimi:

Përfundimi i mandatit dy vjeçar të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit më jep rastin t’u përcjell përgëzimet e mia të sinqerta gjithë trupit diplomatik të Republikës së Shqipërisë dhe posaçërisht ekipit të misionit tonë në Nju Jork, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë përballuar me dinjitet një problematikë, për të cilën diplomacia jonë nuk kishte asnjë përvojë.

Ky rast i çon kujtimet e mia në vitin 2006, kur, me bashkëpunëtorët e mi, të mbështetur edhe nga Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, vendosëm ta paraqesim kandidaturën e Shqipërisë për vendin e anëtarit  jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe filluam takimet formale dhe jo formale për të siguruar votat e nevojshme. Ia dolëm.

Ishte hera e parë që një ekip politik në qeverisje ndërtonte një projekt, të cilin do ta trashëgonin si frut të pjekur gati për t’u vjelë dhe do ta zbatonin të tjerë njerëz. Të paktën kjo ishte bindja ime e plotë. Unë e shihja vendimin tonë si shenjë të pjekurisë së re, në të cilën po hynte klasa politike shqiptare. Dhe kjo bindje më frymëzonte. Vazhdoj të besoj se kam bërë gjënë e duhur.

Gëzuar vitin e ri!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: