Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se protesta është në mbrojtje të vlerave dhe interesave më themelore të qytetarëve shqiptarë.

Ai deklaroi para protestuesve të vendosur te Parlamenti se kjo është një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës, e cila shkelmohet nga banditët, nga porositës të vrasjeve, nga padronë të klaneve të drogës, krimit.

“Ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj sot këtu në këtë protestë të fuqishme, në mbrojtje të vlerave dhe interesave më themelore të qytetarëve shqiptarë.
Në këtë protestë të fuqishme para parlamentit të pushtuar nga krim-ministri Edi Rama dhe banda e tij kriminale.
Në këtë protestë, në të cilën ju mbështesni jo vetëm deputetët tanë, me qëndrimin e tyre të shkëlqyer në mbrojtje të interesave tuaja dhe të shqiptarëve në parlament, por mbështesni dhe jeni zëri i vërtetë i çdo shqiptari, kudo që ndodhet ai, por që konsideron Edi Ramën, ministrat e tij, si armiqtë e egër të qenies tonë, të demokracisë sonë, të miqve tanë.
Për të gjithë qytetarët e këtij vendi që ndjekin zhvillimet në seancën e parlamentit, apo këtë protestë, duhet t’i qartësoj se kjo është një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës, e cila shkelmohet nga banditët, nga porositës të vrasjeve, nga padronë të klaneve të drogës, krimit”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se kjo Kushtetutë, në nenin e saj 70 i garanton deputetit me mbledhjen e 28 firmave, krijimin automatik të komisionit hetimor për problemet që këta 28 burra dhe gra, të votuar nga zgjedhësit shqiptarë, gjykojnë se duhet të hetojnë.
“Kurse trafikantë dhe kukulla pa dinjitet njerëzor të Edi Ramës, bllokojnë këtë të drejtë të deputetëve të opozitës.
Vendosëm hetimin e udhëtimeve të Edi Ramës në të cilat ka shpenzuar me avionin e tij me dhomë luksozë dhe me 22 rroga nga më të majmet të personelit, ka shpenzuar mbi 22 mln euro në 137 fluturime.
Njeriu që ka përgjegjësinë e botës kishte parë të nevojshme 40 udhëtime në mandat, kurse Edi Rama, 137 fluturime me avion në dispozicion. Të gjitha taksat tuaja, djersa juaj, mundi juaj, kurse fëmijët tuaj vetëm largohen nga ky vend. Këta na mohojnë të drejtën kushtetuese të komisionit hetimore sepse aty do të dalin lakuriq siç janë, më të zi se zifti në aferat e tyre. A mund të pranojmë ne, a mund të pranojnë qytetarët shqiptarë mohimin e kësaj të drejte themelore. Do të bëjmë gjithçka për sanksionimin e saj”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb