Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka publikuar mëngjesin e sotëm një fotografi nga jashtë Dhomave të Specializuara në Hagë, pak para se të hyjë në sallë për të ndjekur nga afër shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Krahas fotografisë së publikuar në Facebook, Hoxhaj ka shkruar: “Betejës së fundit për liri sot i vjen fundi!”

Sot, më 16 shtator, në orën 10:00, është planifikuar shpallja publike e aktgjykimit për katër ish-krerët e UÇK-së, pas procesit gjyqësor që nisi në prill të vitit 2023.

Hoxhaj ndodhet në Hagë për të ndjekur nga afër këtë moment. Në sallën ku do të shpallet aktgjykimi pritet të jenë të pranishëm edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa deputeti i PDK-së është gjithashtu në mesin e personave që kanë udhëtuar drejt Hagës për të ndjekur seancën.

Shpallja e aktgjykimit shënon një tjetër moment të rëndësishëm në procesin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, të cilët përballen me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb