Presidenti i SHBA-së Joe Biden denoncoi ashpër vendimin e gjykatës ruse për të dënuar basketbollisten amerikane të WNBA-së Brittney Griner me nëntë vjet burg.

Biden tha se dënimi është “një kujtesë më shumë e asaj që bota e dinte tashmë: Rusia po e ndalon gabimisht Brittney-n”.

“Është e papranueshme dhe i bëj thirrje Rusisë që ta lirojë menjëherë në mënyrë që të jetë me të dashurit, miqtë dhe shokët e skuadrës”, tha ai në një deklaratë.

“Administrata ime do të vazhdojë të punojë pa u lodhur dhe të ndjekë çdo rrugë të mundshme për të sjellë Brittney-n dhe Paul Whelan në shtëpi të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Biden.

Komentet e tij erdhën pasi një gjykatë ruse sot më herët e shpalli Griner-in fajtore për posedim dhe kontrabandë droge dhe e dënoi atë me nëntë vjet burg.

Griner, 31 vjeçe, është një basketbolliste e cila u arrestua në shkurt në aeroportin Sheremetyevo të Moskës pasi autoritetet ruse thanë se kanë gjetur vaj kanabisi në zotërimin e saj.

Ajo pranoi fajësimin më herët në korrik për akuzat për drogë, por ka pohuar se ka përdorur kanabis medicinal për të trajtuar dhimbjen dhe ka mohuar se synonte të shkelte ligjin rus.

SHBA-ja më herët ka propozuar një marrëveshje këmbimi për dy amerikanë në paraburgim rus, Brittney Griner dhe Paul Whelan.

Whelan është mbajtur në Rusi që nga viti 2018 me akuza për spiunazh.

SHBA-ja nuk ka ofruar detaje rreth propozimit të saj, por CNN raportoi të mërkurën se administrata Biden ka ofruar shkëmbimin e trafikantit të dënuar rus të armëve Viktor Bout për dy amerikanët.

Bout po vuan një dënim me 25 vjet burg dhe Departamenti i Drejtësisë ka shprehur kundërshtim ndaj shkëmbimit të mundshëm, sipas CNN-it.

Rrjeti i lajmeve raportoi se rusët kanë kërkuar që SHBA-ja të përfshijë një ish-kolonel të agjencisë ruse të spiunazhit, FSB, në çdo shkëmbim të mundshëm për Griner dhe Whelan.

Kërkesa për lirimin e të dënuarit për vrasje Vadim Krasikov, krahas Bout, është bërë në fillim të këtij muaji.

Krasikov u dënua nga një gjykatë gjermane në vitin 2021 për vrasjen e një ish-luftëtari çeçen në Berlin. Ai mbetet në burg në Gjermani.

Sipas raportimit të CNN-it, administrata Biden “nuk e shikon atë si një kundërvënie legjitime ndaj ofertës së SHBA-së”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb