TIRANË

Një situatë më e qetë dhe e stabilizuar në spitalet COVID në Tiranë. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi nga Spitali Infektiv se situata e qetë me shifra të rëna duket dhe në urgjencat që vijnë.

Ka rënie të ndjeshme të numrit të urgjencave, nga 60 në javën e dytë të nëntorit, aktualisht numri në 24 orë ka rënë në 20 urgjenca mjekësore. Në dallim nga nëntori, urgjencat që mbërrijnë janë në gjendje shumë të rëndë.

“Java e tretë e dhjetorit po shoqërohet me një rënie të konsiderueshme të shtrimeve në tre spitalet COVID, 1, 2 dhe 3.
Burime për News24 pohojnë se numri total i shtrimeve llogaritet në 72%. E përkthyer në shifra në sanatorium po trajtohen 180 pacientë nga 250 shtretër që ka spitali i zgjeruar ndjeshëm pas kthimit në spital COVID.
Ndërkohë në COVID 1 dhe COVID 3 ka një numër të barabartë pacientësh rreth 95 për secilin spital që së bashku kanë një kapacitet prej 270 shtretërish.
Rënia e shtrimeve në spitalet COVID deklarohet edhe në buletinet e ministrisë shëndetësisë. Në deklaratën e datës 19 dhjetor Ministria e Shëndetësisë raporton 376 të shtruar në spitalet COVID me një rënie prej 103 shtrimesh krahasuar me datën 6 dhjetor ku dhe shënohet shifra rekord e ngarkesës spitalore me infeksionin COVID-19, 476 të shtruar.
Rënies së shtrimeve i ka paraprirë rënia e numrit të urgjencave ditore.
Në spitalin infektiv në ditë mbërrijnë deri në 20 urgjenca nga Tirana dhe rrethet, një shifër 3 herë më e ulët krahasuar me javën e dytë të nëntorit kur spitali priste njësoj si sot të sëmurët rëndë me COVID nga spitalet e rretheve të jugut dhe kryeqyteti.
Rënie ka shënuar edhe numri i mortalitetit në strukturat spitalore COVID, referuar të dhënave zyrtare të ministrisë së shëndetësisë.
Në javën e dytë të dhjetorit bilanci ishte 100 vdekje me një mesatare ditore 14 humbje jete, ku nuk përfshihen vdekjet brenda spitaleve COVID me tampon negativ.
Ndërkohë në javën e fundit numri zyrtar i viktimave nga virusi vrasës llogaritet në 85 me një mesatare 12 fatalitete ne dite.
Po si shpjegohet kjo rënie e menjëhershme ngarkesës spitalore si dhe rasteve pozitive ditore që raporton Ministria e Shëndetësisë, që shkon në kahun e kundërt me situatën në rajon dhe më gjerë në Europë ku shumë shtete po ashpërsojnë masat e mbylljes.
I ftuar në emisionin kjo javë të gazetares Nisida Tufa, mjeku i Urgjencës Kombëtare Ilir Allkja pohon se shifrat zyrtare që raporton Ministria e Shëndetësisë nuk pasqyrojnë realitetin e përhapjes së sëmundjes në popullatë.
Sipas mjekut gjithnjë e më shumë shqiptarët po vetëkurohen në kushte shtëpie si shkak i panikut që ekziston për spitalet COVID. Në spitalet rajonale ke nga 10-15 të sëmurë, të cilët nuk vijnë në Tiranë për të mos rënduar sistemin spitalor”, deklaroi Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb