Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Krujë, teksa një 28-vjeçar është rrëzuar nga skela dhe ka ndërruar jetë.

Policia ka arrestuar për ngjarjen një 46-vjeçar, pasi i riu ka ndërruar jetë teksa ka qenë duke punuar në banesën e tij, ku po kryhej ndërtim pa leje.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin:
L. K., 46 vjeç, banues në Krastë, Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Ndërtim pa leje”, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin R. H., 39 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë.

Procedimi penal në ngarkim të këtyre shtetasve ka filluar pasi më datë 07.09.2020, në Krastë, Fushë Krujë, ndërsa po kryheshin punime ndërtimi pa leje në banesën e shtetasit L. K., nga një firmë ndërtimi me administrator shtetasin R. H., aksidentalisht është rrëzuar nga skela punëtori shtetasi E. G., 28 vjeç, banues në Krujë, i cili për pasojë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb