DURRES- Bienalja “Mesdheu 18” ka ulur siparin në një ceremoni që u zhvillua në muzeun arkeologjik në Durrës. Artistët e rinj nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut morën pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Bienales për t’u rikthyer më pas drejt vendeve të tyre.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se Shqipëria gjatë këtij muaji u kthye në skenën më të madhe artistike të Mesdheut.

“Jam e bindur se të gjitha vendet prej nga vini, nga të gjitha vendet e Mesdheut, secili nga ju në këtë Muze Arkeologjik ka gjetur diçka të vetën, diçka nga identiteti i vet kulturor, diçka nga historia e vendit të vet. Kjo është bukuria e kulturës dhe kjo është sfida që kemi të gjithë bashkë në një hapësirë pa kufi që quhet art dhe kulturë. Jam shumë e lumtur që pas një viti punë, të jashtëzakonshme midis Ministrisë së Kulturës dhe Organizatës së Bilenales së krijuesve të rinj të Mesdheut, mbas shumë përpjekjesh dhe dyshimesh, ku edhe unë vetë thoja nuk do t’ia dalim dot, ne ia dolëm”, tha ministrja Mirela Kumbaro.

Mbi 230 artistë të rinj nga vende të ndryshme të Evropës dhe Mesdheut morën pjesë në bienale, duke zhvilluar aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb