Merkatoja e se zonit 2025- 2026 solli një numër të konsiderueshëm afrimesh te Partizani. Drejtuesit ndërhynë si gjatë verës, ashtu edhe në janar, me synimin për t’i dhënë skuadrës më shumë cilësi dhe alternativa në çdo repart. Tani që sezoni ka përfunduar, është momenti për të bërë një bilanc të futbollistëve që iu bashkuan ekipit dhe ndikimit që ata patën gjatë kampionatit.
MESFUSHORI- Një nga emrat që la më shumë përshtypje ishte Rouan Human. Futbollisti arriti të fitonte një rol të rëndësishëm në skuadër dhe në shumë ndeshje u shfaq si një nga lojtarët më të qëndrueshëm të ekipit. Kontributi i tij u ndje në faza të ndryshme të kampionatit dhe ai ishte ndër afrimet që justifikuan pritshmëritë. Pozitiv ishte edhe sezoni i Vüsal Isgandarlit. Sulmuesi nga Azerbajxhani e mbylli kampionatin si golashënuesi më i mirë i Partizanit me gjashtë gola. Edhe pse skuadra nuk arriti objektivat sezonalë, ai ishte një nga lojtarët që kontribuoi më shumë në repartin ofensiv, ndërsa vlen të theksohet se sulmuesi nuk do të jetë më pjesë e skuadrës kryeqytetase.
DUMBIA DHE KONTRERAS- Një tjetër futbollist që pati rëndësi për ekipin ishte Arafat Dumbia. Mesfushori ofroi energji dhe balancë në qendër të fushës, duke u kthyer në një element të rëndësishëm të organikës sa herë që ishte në dispozicion. Problemet fizike në disa periudha e penguan të kishte më shumë vazhdimësi, por ndikimi i tij në lojën e skuadrës ishte i dukshëm. Mes surprizave më të këndshme të sezonit ishte edhe Kontreras. Sulmuesi kolumbian arriti të shënonte katër gola dhe në disa takime rezultoi vendimtar për Partizanin. Ai fitoi besimin e stafit teknik dhe tregoi se mund të jetë një alternativë me vlerë edhe për të ardhmen.
GJETJA E JANARIT- Sa i përket merkatos së janarit, emri që spikati më shumë ishte Sekou Sidibe. Futbollisti u përshtat shpejt me ekipin dhe i dha repartit ofensiv më shumë ritëm, shpejtësi dhe aftësi në situatat një kundër një. Me katër gola në 15 ndeshje, Sidibe rezultoi një nga lëvizjet më të suksesshme të merkatos së dimrit. Afrimi i tij u konsiderua një goditje e qëlluar nga drejtori sportiv Agim Ibraimi, pasi lojtari arriti të ndikonte menjëherë në performancën e skuadrës gjatë pjesës së dytë të kampionatit.
Nga ana tjetër, jo të gjithë futbollistët e afruar arritën të kenë të njëjtin ndikim. Karlos Martinez nuk gjeti hapësirat që priste gjatë sezonit dhe aktivizimet e tij ishin më të kufizuara. Në fund të kampionatit, ai mbetet një nga emrat që do të largohet nga Partizani ashtu siç u theksua edhe për Isgandarli më lart. Ndër afrimet që dhanë kontribut të dobishëm gjatë kampionatit mund të përmendet edhe Albion Marku. Mbrojtësi pati paraqitje pozitive sa herë ishte në dispozicion, megjithëse dëmtimet ndikuan në vazhdimësinë e tij.
MERKATO E JANARIT – Edhe Fadairo arriti të japë ndihmën e tij në ndeshje të ndryshme gjatë sezonit. Futbollisti pati momente ku tregoi cilësitë e tij dhe u shfaq si një alternativë e vlefshme për skuadrën. Kontribut të rëndësishëm dhanë gjithashtu edhe Qaka dhe Murataj. Të dy futbollistët u aktivizuan në role të ndryshme gjatë kampionatit dhe ofruan zgjidhje për stafin teknik në periudha të caktuara të sezonit. Amos Nondi ishte një tjetër emër i afruar gjatë verës. Ai pati hapësirat e tij në skuadër dhe u aktivizua në disa ndeshje, por në fund të sezonit mbetet mes lojtarëve që nuk kanë do të jenë pjesë e të kuqve.
Në tërësi, merkatoja e Partizanit solli futbollistë që patën ndikime të ndryshme në ecurinë e ekipit. Disa prej tyre u kthyen në pika referimi dhe fituan rol të rëndësishëm në formacion, ndërsa të tjerë nuk arritën të gjenin vazhdimësinë e nevojshme. Bilanci përfundimtar tregon se disa afrime rezultuan të suksesshme dhe justifikuan investimin e klubit, ndërsa disa të tjera nuk arritën të linin të njëjtën gjurmë. Me sezonin tashmë të mbyllur, drejtuesit po analizojnë me kujdes secilin rast për të vendosur se cilët futbollistë do të jenë pjesë e projektit të Partizanit edhe në sezonin 2026-2027.
