Prestigjiozja gjermane “Bild” në një artikull ku fton lexuesit që të vizitojnë Shqipërinë, promovon turizmin si vlerë dhe mrekullitë natyrore që duhen eksploruar në vendin tonë.

Në Shqipëri? Po, pse jo?! Vendi i vogël që laget nga Adriatiku dhe Joni ka plazhe të mrekullueshme, kulturë të pasur, thesare natyrore dhe njerëz miqësore, e mbi të gjitha çmime të lira.

Kështu e nis përshkrimin e Shqipërisë artikulli i cili ka për autorë Oliver Abraham dhe më pas vijon me përshkrimin e një darke të paharrueshme në Durrës, në tarracën e një restoranti me pamje nga deti. Durrësi këshillohet për të gjithë të dashuruarit pas ushqimeve të detit, si një qytet ku gjen të ndërthurura kuzhinat më me emër ndërkombëtare dhe traditën vendase.

Për të mos u humbur, sipas “Bild” është edhe një shëtitje në bulevardin qendror të qytetit nën hijet e palmave dhe dyqaneve e kafeneve që kanë se çfarë i ofrojnë kujtdo.

Pak kilometra larg Durrësit, “Bild” këshillon një vizitë në Kalanë e Krujës. Kalaja krijon një atmosferë mistike për vizitorët, që përforcohet akoma më shumë me një kthim në Mesjetë me vizitën në pazarin e vjetër të qytetit.

Këtu vizitorët mund të gjejnë suvenire të ndryshme, tapete, qilima, veshje tradicionale, punime artizanale nga më të ndryshmet e krejt të veçanta.

“Bild” u këshillon lexuesve një vizitë në Muzeun e Krujës, për t’u njohur në pak minuta me historinë mijëra-vjeçare të popullit shqiptar.

Më tej, udhëtimi i “Bild” zhvendoset në jug të vendit, ku për të gjithë të apasionuarit pas natyrës këshillohet vizita në zonat malore të Gjirokastrës dhe Syri i Kaltër.

Në Sarandë, shkruan “Bild”, mund të gjeni në pak metra distancë nga hotelet me pesë yje e deri te hostelet. Është një prej destinacioneve turistike kryesore në Shqipëri dhe një pjesë e madhe e vizitojnë për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe rrënojat antike atje.

Prestigjozja gjermane ndalet më tej te riviera shqiptare. “Një udhëtim me makinë nga Saranda në drejtim të Vlorës nga rruga e bregdetit është për të mos u humbur. Plazhe të fshehta, gjire përrallore dhe Parku Kombëtar i Llogarasë”, shkruan “Bild”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb