Nëpërmjet një letre publike në mbështetje të protestave masive që po zhvillohen së fundmi në Shqipëri, 260 akademikë, studentë dhe profesorë ndërkombëtarë nga e gjithë bota u solidarizuan me kërkesat e shqiptarëve për mbrojtjen e mjedisit, llogaridhënie të qeverisë dhe vendosjen e shtetit të së drejtës.
“Qytetarët e vendit si edhe diaspora janë mobilizuar për të kundërshtuar miratimin e planeve të zhvillimit të turizmit luksoz në ishullin e Sazanit, brenda zonës së mbrojtur të Karaburun-Sazan si edhe asaj të Vjosë-Nartës,” shkruhet në letrën publike.
Nëpërmjet kësaj letre, akademikët e cilësuan këtë lëvizje si një moment kritik për Shqipërinë, kur protestat po zgjerohen përtej kauzës mjedisore.
Përgjatë 25 ditëve të fundit, ajo që filloi si një protestë në kundërshtim të projektit në Zvërnec, tashmë është shndërruar në një lëvizje antiqeveritare, të njohur ndryshe edhe me emrin “Revolucioni i Flamingove”.
Letra e akademikëve thekson faktin se për të parën herë në dekada, qytetarë me bindje të ndryshme politike dhe me formime të ndryshme sociale janë bashkuar pavarësisht idealeve, në përgjigje të mungesës së transparencës, korrupsionit, dobësimit të institucioneve demokratike, kapjes së shtetit dhe mungesës së shtetit ligjor.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të diskretituar këtë lëvizje, ajo ka qëndruar paqësore, jo militante dhe qytetare, duke bërë së bashku aktivistë mjedisorë, akademikë, studentë, aktorë të shoqërisë civile dhe qytetarë të shqetësuar për kauzën”, citohet në mesazhin e akademikëve ndërkombëtarë.
Akademikët shprehin mbështetjen e tyre lidhur me kërkesat e protestuseve, duke shkruar se këto kërkesa përkojnë me mbrojtjen e mjedisit, llogaridhënien demokratike, ligjshmërinë si edhe mbrojtjen e interesit publik.
Letra liston gjithashtu specifikisht kërkesat e protestuesve të cilat artikulojnë qartazi thirrjet për anulimin e projektit të Sazanit dhe Vjosë-Nartës, dorëheqjen e kryeministrit, tërheqjen e Ligjit për Investitorët Strategjikë, tërheqjen e Paketës së Maleve, tërheqjen e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, si edhe tërheqjen e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore./ BIRN
