Nënkryetari i Partisë Republikane, Blendi Sulaj deklaroi se asnjë sistem zgjedhor nuk i ndalon koalicionet, ndërsa pohoi se këtë gjë e ndalon maxhoranca qeveritare.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në replika të vazhdueshme me deputetin e PS-së, Alket Hyseni, Sulaj tha se opozita ofroi disa propozime të mira që nuk u pranuan nga qeveria.

Mes të tjerash ai tha se asnjë sistem nuk i përcakton dot kundërshtarit politik se me kë të bëjë ai koalicion.

“Ne kishim në dorë që të bënim diçka më të mirë (Opozita jashtëparlamentare). Por më e mira s’u pranua. Ndërkombëtarët dhe opozita jashtë thanë se listat e hapura ishin alternativa më e mirë. Këtu jemi para frikës së një pale. Më thoni një sistem zgjedhor që ndalon koalicionet parazgjedhore. S’ka asnjë sistem të tillë. S’ma tregon dot kundërshtari politik se me kë duhet të bëjë unë marrëveshje. Marrëveshja që u bënte më parë, ishte marrëveshje që maksimizonte fuqinë e opozitës. Pavarësisht kodit zgjedhor që këta bënë, sikur ta bënte Rama në shtëpinë e vet, fryma që është kundra. Kemi këta që janë të rilindjes dhe socialistët e ndershëm, ka shumë që janë kundër këtij sistemi”, tha Sulaj.

Ndërkohë, Hyseni theksoi se marrëveshja e 5 Qershorit u kushtëzua nga opozita jashtëparlamentare. Ai pohoi se PS-ja kërkoi depolitizimin e administratës si dhe votën për emigrantët, çështje që sipas tij u bllokuan.

“5 Qershorin e kushtëzuat ju. Ne hymë për të bërë një marrëveshje të madhe për 5 qershorin. Kërkuam depolitikizimin e administratës, votën e emigrantëve. Këto u bllokuan. Ne jemi të detyruar, vërtetë jemi maxhorancë, jemi të detyruar që të zbatojmë dhe vullnetin e një pakice. Bëmë një marrëveshje kompromisi. E miratuam 5 Qershorin, që duhej të përkthehej në ligj me 2/3. Votat s’i kishim. Duhet t’i merrnim nga ata deputetë që janë prodhuar nga listat tuaja. Ne ishim të detyruar që atë marrëveshje, për ta përkthyer në ligj, na duhej vullneti i atyre opozitarëve që janë në parlament. Duhej kartoni i tyre. Nisur dhe nga një kërkesë e madhe në publik, për votën preferenciale. Bëmë një kompromis që 5 Qershori mos të prekej. S’kemi për të parë një qëndrim, politika e re duhet të heqë kostumin e politikës së vjetër. Ata e pranojnë pasi nuk e kanë për parim (PD). Ata e shohin tek kalkulimet. Kushtetuta nuk i ndal koalicionet.”, tha Hyseni.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb