As në dasma, as në funerale.

Me këto fjalë, Safet Temaj nga Prizreni shpjegon gjendjen, në të cilën ndodhet familja e tij, për shkak të regjimit rigoroz të vizave që i ka ngarkuar me vite të tëra banorët e Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe Kosovës.

Safeti ka familjarë në Bosnje, të cilët, siç thotë ai, ata nuk mund t’i shohë “as për mirë dhe as për keq” për shkak të pamundësisë për t’u pajisur me viza.

“Ne kemi pritur me ditë që ta sjellim dajën tonë të ndjerë në Prizren për ta varrosur këtu”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se disa muaj më parë ishte i emocionuar kur u njoftua se së shpejti do të mund t’i vizitojë të afërmit e tij në Bosnje dhe Hercegovinë.

Megjithatë, pas veprimeve të politikanëve nga Republika Sërpska, të cilët e bllokuan procesin e heqjes së vizave ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës, ai mendon se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë dhe përfundimisht ta zgjidhë këtë problem.

“Unë jam më i pakënaqur me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që e lejuan Republikën Sërpska të bllokojë lirinë e lëvizjes”, thotë Safet Temaj për Radion Evropa e Lirë.

Entiteti i Republikës Sërpska në Asamblenë Kombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës më 27 qershor bllokoi miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Kjo rrjedhimisht bllokoi vendosjen e regjimit pa viza ndërmjet BeH-së dhe Kosovës, ndonëse për këtë u ra dakord në nëntor të vitit 2022, me nënshkrimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Muharem Nerjovaj, banor i Bihaqit me origjinë nga Kosova, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo është vazhdimësi e diskriminimit dhe poshtërimit shumëvjeçar.

“Kështu u bëmë qytetarë jo të klasës së dytë, por të tretë apo të katërt. Prisnim që çështja me vizat të zgjidhej përfundimisht, por ata bllokuan sërish gjithçka pa arsye. Unë kam miq në Banjallukë dhe mund të them që fajin nuk e ka populli, por ai që sundon dhe përfiton prej tij”, thekson ai.Festat e Bajramit Muharremi i kalon në vendlindjen e tij, në Prizren. Siç thotë ai, ardhja në Kosovë është e vetmja mënyrë për t’i parë nënën dhe djalin e tij, si dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Bosnja e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kështu që kosovarët mund të hyjnë në Bosnje e Hercegovinë me vizë që jepet “vetëm në raste të jashtëzakonshme”. Vizat lëshohen në një formular të veçantë në Ambasadat e Bosnjës në Shkup, Podgoricë dhe Beograd.

Muharremi rikujton, gjithashtu, se si i ishte thënë disa vjet më parë nga Shërbimi për Çështjet me të Huajt i Bosnjës se vizita e tyre [kosovarëve] në Bosnje dhe Hercegovinë ishte e mundur “vetëm në rast se dikush vdes”.

Për shkak të procesit rigoroz dhe të komplikuar për marrjen e vizave, ata hoqën dorë nga vizitat në Bihaç.

“Unë kam letërnjoftim të Kosovës dhe letra [dokumente] të BeH-së, por për ata është problem. Një herë nëna ime ‘ua grabiti’ një vizë pas shumë peripecive që zgjatën rreth pesë muaj dhe kemi pasur një milion probleme në kufi. Ne as që do të përpiqemi më”, thekson ai.

Vështirësitë për t’u pajisur me vizë
Heqja e regjimit të vizave nuk lejohet prej vitesh nga zyrtarët e Republikës Sërpska (RS) dhe kundërshtari më i zëshëm është Milorad Dodik, president i RS-së, njëherësh kreu i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD) në pushtet.

Bllokadat e reja u iniciuan pak ditë më parë nga anëtarja e Presidencës së BeH-së, Zhelka Cvijanoviç, nga radhët e SNSD-së së Millorad Dodikut, duke e deklaruar çështjen si shkatërruese për interesin jetik të entitetit të Republikës Sërpska.

Elvira Dushi-Hreljiq ka lindur në Prishtinë, ndërsa tash e 24 vjet jeton në Sarajevë me familjen e saj.
Siç thotë ajo, vitet e fundit motrat e saj e kanë vizituar në Sarajevë falë faktit që kanë dokumente nga Serbia. Ajo shpresonte që këtë vit të mund të udhëtonin vetëm me letërnjoftime, që është një obligim nga Marrëveshja e nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Natyrisht, ajo që kanë bërë disa përfaqësues të qeverisë, është zhgënjyese, sepse tregon mendjelehtësi dhe diskriminim të qytetarëve tanë. Shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës nuk duhet të ketë pengesa të tilla kur bëhet fjalë për qytetarët e Kosovës, pa dallim nacionaliteti”, thotë ajo.

Duke marrë parasysh situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë, ajo thotë se nuk pret ndryshime së shpejti.

“Në mënyrë të pashmangshme, ne jetojmë këtu dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i ndryshojmë gjërat për të mirë. Por, krejt ajo që kam dëgjuar ditët e fundit thotë se kultura e dialogut politik nuk ka arritur nivelin e duhur për shekullin XXI. Shpresa është e fundit që vdes, por kështu siç janë gjërat tani, unë jam paksa e rezervuar”, tregon ajo për REL-in.

“Jemi në pritje që t’i vizitojmë varret e të dashurve tanë”
Edhe Senada Imamoviq, e cila jeton në Prizren është e zhgënjyer me lajmin se ende nuk do të mund të shkojë pa vizë në vendlindjen e saj në Bihaq.

Ajo nuk ka qenë në Bosnje qe më shumë se dy dekada. Imamoviq tregon se u përpoq të pajisej me vizë në ambasadat në Tiranë dhe Shkup, por për shkak të procedurës së ndërlikuar, në fund hoqi dorë.

“Unë ende mund vetëm të ëndërroj vetëm për të afërmit e mi dhe Bosnjën. Mund të shikoj fotografi të qyteteve dhe të afërmve të mi, por nuk mund ta ndiej ajrin, ujin dhe aromën e Bosnjës në foto”, thotë për REL-in, Senada Imamoviq.

Para disa muajsh ajo u pensionua dhe shpresonte se së shpejti do të mund ta kalonte kufirin vetëm me letërnjoftim, siç parashikohej në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor.

“Edhe sa do të presim mëshirën e dikujt që të na lejojë të shkojmë t’i vizitojmë të gjallët [të afërmit e gjallë] tanë, t’i vizitojmë varret e të dashurve tanë?! Do të doja të dija se si do të reagonin ata që na e ndalojnë hyrjen në Bosnje, nëse do ta kishin të ndaluar t’i vizitojnë të dashurit e tyre, të ndiejnë dhimbjen tonë”, shprehet Senada Imamoviq.
Muharrem Zejnullahu, nga Bashkësia e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se regjimi i vizave është vetëm një nga problemet që i rëndon marrëdhëniet ndërmjet Sarajevës dhe Prishtinës. Ai rikujton se Bosnja nuk njeh asnjë dokument të lëshuar në Kosovë.

“Kjo do të thotë se ajo nuk njeh asnjë certifikatë lindjeje, si dhe dokumente të tjera që janë me rëndësi jetike për shqiptarët me origjinë nga Kosova që janë në Bosnje. Kjo na krijon probleme të pabesueshme”, thekson ai.

Anëtarët e familjes së tij nga Prishtina e vizituan për herë të fundit në Sarajevë rreth 15 vjet më parë.

“Në atë kohë e martoja vajzën time dhe vetëm tre anëtarë të familjes kanë marrë vizë. Për pesë ditë dhe kjo ishte e tëra. Pas kësaj ata nuk erdhën më”, tregon ai.

Për shkak të regjimit rigoroz të vizave të Bosnjës dhe Hercegovinës për qytetarët e Kosovës, në vitin 2014, Prishtina zyrtare u kundërpërgjigj me të njëjtat masa, duke vendosur viza për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës.
Zejnullahu thotë se që atëherë familja e tij nga Bosnja dhe Hercegovina nuk ka udhëtuar në Kosovë.

“Ne shihemi shumë rrallë, vetëm në raste të jashtëzakonshme. Nuk ka mundësi që dikush të vijë te ju kur të dojë”, deklaron ai.

Çfarë i shkakton bllokimet?
Njëra nga tri marrëveshjet ndërmjet liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u nënshkruan në nëntor të vitit 2022 si pjesë e Procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa, dy të tjerat janë për njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimet profesionale.

Sipas rregulloreve aktuale, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave të Bosnje e Hercegovinës dhe Presidenca e saj, dhe më pas ato ratifikohen nga Parlamenti i Bosnjës.

Megjithatë, politikanët nga RS-ja refuzojnë ratifikimin e marrëveshjes, edhe pse ish-kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Zoran Tegeltija, i cili është anëtar i partisë së Dodikut, ishte një prej nënshkruesve të atij dokumenti në Berlin vitin e kaluar.
Anëtarja e Presidencës së BeH-së, Zhelka Cvijanoviq, inicioi veton pasi u votua më 21 qershor në seancën e Presidencës së BeH-së, kur u shpreh kundër konkluzioneve për miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime, asaj për njohjen e diplomave universitare dhe për kualifikime profesionale.

Konkluzionet për miratimin e atyre marrëveshjeve, për të cilat u dakordua në kuadër të Procesit të Berlinit, u mbështetën nga Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, kolegë të saj në Presidencën e Bosnje e Hercegovinës.

Në përputhje me Kushtetutën, Asambleja Kombëtare e RS-së shpalli veton dhe pas mbështetjes së deputetëve, konkluzionet e Presidencës u shpallën të pavlefshme.

Më 29 qershor, Cvijanoviq deklaroi se, për dallim nga marrëveshja për letërnjoftime, nuk kontestohen marrëveshjet për njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

“Unë do të propozoj përsëri dy marrëveshjet që janë të padiskutueshme në seancën e ardhshme të Presidencës së BeH-së në mënyrë që të kemi deklarata individuale. Marrëveshja lidhur me lëvizjen me letërnjoftime mbetet subjekt i vetos”, tha ajo.
Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale u nënshkruan në nëntor të vitit të kaluar nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Që të fillojë zbatimi, është e nevojshme që dokumentet të ratifikohen në parlamentet e secilit prej vendeve brenda 18 muajve./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: