“Elbasani është një qytet i bukur dhe me njerëz punëtorë”. Duket se deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, mendon ndryshe nga Ben Blushi, kur vjen fjala te “karakteristikat” e qytetit në kërthizë të Shqipërisë.

Në romanin e tij më të fundit, “Kandidati”, shkrimtari politikan Ben Blushi, i cili i ka marrë mbarë e ironizon me të gjallë e të vdekur politikanë të së tashmes e të së shkuarës, gazetarë e madje me vetë veten, jo vetëm që nuk e ka fshehur, por ka treguar hapur gjithë antipatinë e tij për qytetin e Elbasanit. Sigurisht, romani i tij është një fiksion, por që Baseni është Elbasani, kjo është lehtësisht e kuptueshme, prej emrave të lagjeve, monumentit të Lef Nosit në qendër, etj; shkruan “Panorama”.

Përshkrimi i tij për Basenin, si një vend të papastër dhe banorët e tij “të pabukur” dhe “të palarë”, sigurisht që nuk ka mbetur pa rënë në sy, dhe pa dyshim që ka shkaktuar edhe pakënaqësi, jo vetëm te banorët. Deputeti i zonës, Taulant Balla, edhe pse nuk i del ballazi Blushit për ta kundërshtuar në thëniet e tij, i del në mbrojtje Elbasanit përmes një statusi në “Facebook”.

Për këtë rast ai ka shfrytëzuar anëtarësimin në Partinë Socialiste të 250 të rinjve dhe të rejave.

“Çfarë mund të bëjmë së bashku në këtë parti, nuk mund ta bëjmë dot të vetëm dhe çka secili prej jush mund të bëjë si pjesë e bashkësisë së madhe të Partisë Socialiste, për realizimin e aspiratës sonë që të jetojmë në Shqipërinë që duam dhe që meritojmë, nuk e bëjmë dot në asnjë parti tjetër”, shkruan Balla.

Teksa vazhdon të shkruajë me gëzim për ngjarjen në fjalë dhe se çfarë mund të bëjë Partia Socialiste për të mirën Shqipërisë, Balla u jep kurajë elbasanasve se jetojnë në një qytet të bukur e historik:
“Elbasani është një qytet shumë i bukur, ku historia ka lënë gjurmët e veta. Elbasani ka njerëz shumë të mirë dhe punëtorë. Vajzat dhe djemtë e rinj të Elbasanit meritojnë më shumë vlerësim. Ne jemi sot këtu për t’ju ftuar të kontribuoni edhe ju për Shqipërinë e ‘Gjeneratës Tjetër’”, shkruan Balla, duke iu kundërvënë në njëfarë mënyre Blushit, sipas të cilit banorët e Basenit prisnin që përroi t’u lante vetë këmbët.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb