Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Servisi”. Kapet dhe vihet në pranga një 36-vjeçar që bleu një automjet të trafikuar në Shqipëri, me qëllim për ta shitur për pjesë këmbimi. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve që i shitën 36-vjeçarit, kundrejt shumës 9000 euro, automjetin tip “BMW”, i cili dyshohet se është vjedhur në Britaninë e Madhe.

Sekuestrohet automjeti. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që trafikonin në vendin tonë, automjete të vjedhura, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Servisi”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi F. M., 36 vjeç, banues në Tiranë, dhe u shpallën në kërkim shtetasit T. L., 39 vjeç, banues në Kuçovë, dhe C. F., 41 vjeç, banues në Rumani. Nga veprimet hetimore dyshohet se dy shtetasit e shpallur në kërkim kanë trafikuar në Shqipëri një automjet tip “BMW”, të dyshuar të vjedhur në Britaninë e Madhe. Automjetin e ka blerë 9000 euro, shtetasi F. M., me qëllim për ta shitur për pjesë këmbimi.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip “BMW”. Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: