TIRANE – Boiken Abazi, sekretar i Lëvizjes “Vetëvendosje” për marrëdhënie me jashtë, i cili u deportua nga Republika e Kosovës për në Shqipëri, deklaroi në studion e “News24” se pret një reagim nga institucionet shqiptare, për atë që e cilëson si “dhunë pa argumente të regjimit në Kosovë”.

Abazi theksoi se në Kosovë ka hyrë dhe ka dalë në mënyrë ligjore, ndërsa sipas tij, qeveria e Kosovës ka instaluar regjim autoritar në vend.

“Lëvizja “Vetëvendosje” është akuzuar si një lëvizje fashiste. Regjimi autoritar kërkon të shtyp zërat e opozitës. Qeveria po rreh dhe arreston qytetarët e saj. Ky regjim nuk ka argumente, përdor dhunën. Pres nga institucionet shqiptare të reagojnë.”- deklaroi Abazi.

Ndërkohë Boiken Abazi u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës kosovare më 26 mars.

Më herët në një status në faqen e tij në “Facebook”, Abazi ka shkruar se shqiptarët e Kosovës po jetojnë nën regjimin autoritar Mustafa-Thaçi i cili, sipas tij, po tenton të shtypë çdokënd që e kundërshton rikthimin e Serbisë në Kosovë.

“Qindra qytetare te RSh erdhen ne kohen e luftes ne Kosove dhe luftuan krah per krah me ushtaret e tjere te UCK-se kunder regjimit fashist te Serbise. Ne fillim te viteve 90, nje grup i pergatitur ish-ushtarakesh te RSh prodhoi librat dhe manualet teoriko-ushtarake te luftes guerrilase ne KS, qe LPK-ja i perdori per themelimin UCK-se dhe formimin e ushtareve qe i bashkoheshin perpjekjes se popullit shqiptar per liri.

Sot, shqiptaret e Kosoves, po jetojne nen regjimin autoritar Mustafa-Thaci qe ka instaluar nje shtet policor qe tenton te shtypi me dhune cdokend qe kundershton rikthimin e Serbise ne KS permes “Zajednices” nga pasardhesit politike te Miloshevicit. Sot qe qytetaret e Kosoves po ngrihen ne protesta mbarepopullore per ta permbysur kete regjim te ri, regjimi ben arrestime te panumerta te aktivisteve te Levizjes Vetevendosje, dhe ndalesa ne kufi dhe deportime politike te shqiptareve qe i jane bashkuar rezistences. Shqiptaret jashte KS nuk i ka ndalur dot atehere ushtria e Serbise per t’u solidarizuar me perpjekjen e popullit te Kosoves per liri, dhe aq me pak mund t’i ndali sot ky regjim kriminelesh matrapaze, per t’u bashkuar ne rezistencen mbarepopullore. Populli i Kosoves nuk ka per te qene asnjehere vetem ne perpjekjen drejt clirimit te dyte! Me VETEVENDOSJEN, deri ne bashkimin me Shqiperine!” (sic.), ka shkruar Abazi në “Facebook”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: