Tajson Fjuri është në kërkim të një kundërshtari. Edhe pse, në parim, ka një kontratë për të përballuar Antoni Xhoshuan së shpejti, boksieri britanik ka hedhur një sfidë ndaj Oleksander Usikut.
Duhet kujtuar se përballja e shumëpritur mes dy peshave të rënda, Fjuri dhe Xhoshua, është planifikuar të zhvillohet në nëntor dhe të dy boksierët kanë nënshkruar kontrata individuale për këtë duel. Megjithatë, paqartësitë rreth stadiumit ku do të zhvillohet përballja kanë shkaktuar vonesa në njoftimin zyrtar.
Organizatorët po insistojnë që dueli të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vend të “Wembley”-t, që është arena e preferuar nga Xhoshua. Pikërisht për këtë arsye, Fjuri deklaroi në rrjetet sociale se Xhoshua po tërhiqej nga dueli. “E gjithë kjo vetëm do të më çojë drejt një përballjeje me Oleksandër Usikun”, tha Fjuri.
“Oleksandër, ti je trajneri dhe mentori i tij (i Xhoshuas) dhe e di se ai është i dobët mendërisht… dhe se nuk do të përballej kurrë me ‘Mbretin Cigan’, gjë që ti ke pasur guximin ta bësh dy herë”, u shpreh britaniku, ndërsa vijoi duke insistuar: “Herën e fundit i fitove vendimet e gjyqtarëve, mirë për ty. Fat të mbarë, le ta bëjmë sërish. Le ta përsërisim duelin në nëntor. Tani topi është në fushën tënde… A dëshiron të përballesh me mua këtë vit apo po tërhiqesh? Më njofto, sepse tani jam duke kërkuar një kundërshtar të ri”, deklaroi Tajson Fjuri.
