Dita e 7-të e luftës/ Izraeli paralajmëron se do të bombardojë objektivat qeveritare në Iran. Teherani sulmon spitalin në Beer Sheva, të paktën 65 të plagosur
19 Qershor, 2025 11:32
Madhësia e tekstit:
Lufta ajrore mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e shtatë që prej përshkallëzimit të premten e kaluar. Orët e fundit, BBC ka marrë një përditësim të ri nga shërbimi emergjent izraelit Magen David Adom për atë se çfarë po ndodh me sulmet e ndërsjella mes dy vendeve. Institucionet e Tel Avivit thonë se një total prej 65 personash po marrin trajtim për plagët e tyre, pas sulmeve iraniane me raketa balistike të cilat në orët e natës goditën në disa pjesë të vendit.
Objektiv i sulmit nga Teherani ishte edhe spitali në Beer Sheva. Raketat ranë edhe në Tel Aviv ku shkaktuan dëmtime në zonat civile.
Kjo përfshin një burrë në të 80-at dhe dy gra në të 70-at që janë në gjendje të rëndë, si dhe dy gra në të 80-at që janë në gjendje të stabilizuar, 42 persona në gjendje të lehtë, dhe 18 persona që u plagosën ndërsa po shkonin drejt strehimoreve kundër bombave.
Shërbimi izraelit ka njoftuar se do të japë përditësime të tjera në vijim.
Pas sulmit të fundit me raketa të nisur nga Irani këtë mëngjes, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e kërcënoi drejtpërdrejt Ajatollah Khamenein, duke paralajmëruar se objektivat qeveritare në Teheran do të goditen së shpejti.
“Diktatori frikacak iranian po fshihet në bunkerin e tij të fortifikuar dhe qëllon qëllimisht spitalet dhe ndërtesat e banimit në Izrael. Këto janë krime lufte të llojit më të rëndë dhe Khamenei do të paguajë për krimet e tij”, tha Katz. Ministri izraelit i mbrojtjes paralajmëroi se “kryeministri dhe unë kemi urdhëruar IDF-në të intensifikojë sulmet kundër objektivave strategjikë në Iran dhe objektivave qeveritare në Teheran, për të hequr kërcënimet kundër Shtetit të Izraelit dhe për të dobësuar regjimin e Ajatollahëve”.