Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë, ndër të tjera, edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Parlamentit Evropian, Borrell shp[rehu nevojën e një marrëveshje gjithpërfshirëse.

“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve është baza më e mirë për tejkalimin e çështjes së përfaqësimit ligjor të Kosovës”, tha Borrell.

Ai konfirmoi se autoritetet e Kosovës janë të interesuara që Kosova të mos përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në forume rajonale.

“BE-ja është e gatshme ta trajtojë këtë çështje, përfshirë edhe përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur parasysh se organizatat si CEFTA [Marrëveshja Tregtare e Evropës Qendrore] kanë strukturat, procedurat dhe organet e tyre vendimmarrëse, të cilat gjithashtu përfshijnë edhe palët e tjera”, tha Borrell.

Ai kujtoi se pas marrëveshjes së arritur në vitin 2012 në dialogun Kosovë-Serbi, “Kosova merr pjesë dhe flet vetë në forumet rajonale”, me kusht që tek emri i saj të vendosë një fusnotë.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Një takim i ri midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është paralajmëruar për në shtator.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: