TIRANE– Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka akumuluar një borxh prej 13. 5 milionë lekësh gjatë vitit 2014. Kjo vlerë nuk konsiderohet borxh i krijuar rishtas, por do të shlyhet me vendim qeverie brenda këtij viti. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka borxh për vendime gjyqësore një shumë prej 24.5 milionë lekësh. Shumat e detyrimit të krijuara gjatë vitit të shkuar janë publikuar nga Ministria e Financave, e cila publikon detyrimet e krijuara rishtazi, të ndara në tremujorë, që i takojnë vitit 2014. Në total janë akumuluar 326 milionë lekë.

Të dhënat janë të detajuara për çdo ministri dhe jepet vlera e këtyre detyrimeve dhe arsyet e lindjes së tyre, bazuar në raportimet zyrtare të informacioneve. Publikimi i detyrimeve është parashikuar në vendimin për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Dhënia e detajuar e informacionit është e lidhur me projektin pilot për pesë ministritë MTI, MAS, MSH, MD, MM dhe DPT si dhe 6 institucioneve të tjera të përfshira në këtë monitorim si MB, MBZHRAU,MZHETS, MMSR dhe MF.

VENDIMET
Ministria e Drejtësisë deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën totale 24.5 milionë lekë, të cilat janë detyrime të lindura nga vendimet gjyqësore: në aparatin e Ministrisë së Drejtësisë në vlerën rreth 11 milionë lekë, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vlerën 13.5 milionë lekë. Këto detyrime do të trajtohen sipas Udhëzimit të Këshillit të Ministrave dhe nuk konsiderohen sipas konceptit të detyrimeve të krijuara rishtazi. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën 0.4 milionë lekë, në zërin shpenzime korrente (mallra shërbime) ku nuk janë përfshirë detyrimet për vendimet gjyqësore, që llogariten në një vlerë prej 17.3 milionë lekë. Ministria e Bujqësisë raporton se nuk ka të krijuara detyrime të reja për vitin 2014, me përjashtim të kërkesave për vendime gjyqësore të ardhura në 2014 dhe që vlerësohen në rreth 10 milionë lekë.

RAPORTI
Në lidhje me detyrimet e krijuara rishtazi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve raportohet se për tremujorin e IV-t 2014 është krijuar një detyrim rreth 33 milionë lekë, i cili ka të bëjë me vonesa në rimbursimin e TVSH-së së kërkuar nga subjektet dhe që vijnë për arsye të procedurave të verifikimit dhe kontrollit nga administrata tatimore. Megjithatë, sipas DPT edhe këto detyrime do të shlyen brenda vitit buxhetor 2015. Në dokumentin e Financave mësohet se Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaron lindjen e detyrimeve në vlerën totale rreth 105.4 milionë lekë, detyrim i krijuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në vlerën 77 milionë lekëve; Drejtoria e Përgjithshme Ujësjellës Kanalizime në vlerën 28.4 milionë lekë.

Ndërkohë që sipas informacionit të ardhur, vazhdon paraqitja e vendimeve gjyqësore si për rastet e largimeve nga puna, ashtu edhe ato për kundërshtim të vlerave të shpronësimeve. Në këtë tremujor, për këtë detyrim raportohet vlera prej 211 milionë lekësh, e cila nuk mund të konsiderohet si detyrim i krijuar rishtazi. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes raporton se për tremujorin e IV-t 2014 rezultojnë detyrime të lindura në vlerën 9.8 milionë lekë, por që nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është angazhimi që këto detyrime do të paguhen me fonde të buxhetit të 2015.

Më konkretisht, kjo vlerë përbëhet nga: 9.1 milionë lekë për kontratë investimi (projekt në vazhdim) detyrim i lindur pasi me buxhetin e 2014 realizoi pagesën e detyrimit të prapambetur të vitit 2013. Por ministria angazhohet që me buxhetin 2015 të bëjë edhe pagesën e këtij detyrimi. 0.7 milionë lekë për mungesë dokumentacioni në shlyerjen e pagesës së qirasë së banimit për ushtarakët, vlerë kjo që do të paguhet me buxhetin 2015. Ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit raporton se për tremujorin e IV-t 2014 rezultojnë detyrime të lindura në vlerën 0.4 milionë lekë, por që nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është angazhimi që këto detyrime do të paguhen me fonde të buxhetit të 2015. Nga MAS janë deklaruar detyrime të lindura nga vendimet gjyqësore për 2014 ashtu edhe të viteve të mëparshme, por që janë deklaruar në MAS në vitin 2014, të cilat do të trajtohen sipas Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr.1 datë 4.06.2014. Këto detyrime janë në vlerën rreth 13 milionë lekëve dhe nuk konsideron sipas konceptit të detyrimeve të krijuara rishtazi.

Ndërsa Ministria e Ekonomisë raporton vetëm për aparatin e ministrisë dhe përsa u përket detyrimeve të lindura rishtazi janë vetëm vendime gjyqësore të ardhura në 2014 dhe që vlerësohen në rreth 2 milionë lekë. Këto detyrime do të trajtohen sipas Udhëzimit të Këshillit të Ministrave dhe nuk konsideron sipas konceptit të detyrimeve të krijuara rishtazi. Ministria e Punëve të Brendshme raporton se në total është krijuar një detyrim prej 4.2 milionë lekë. Ministria e Mirëqenies Sociale raporton si detyrime të lindura në zërin kontrata investimi në vlerën 1.2 milionë lekë, të cilat do të shlyhen me buxhetin e 2015. Ndërkohë që një vlerë prej 25 milionë lekësh raportohet si detyrim për vendime gjyqësore të krijuara në 2014 dhe që nuk mund të trajtohen si detyrime të krijuara rishtazi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb