Një album me portrete, intervista e imazhe sjell në vëmendje zanatçinjtë e artit, që bënë violina, a kostume shfaqjesh por nxjerrin në pah edhe problematikat e një kryeqyteti pa muze.

Është promovuar këtë të premte libri album “Sekrete Mjeshtërie” që sjell së bashku duarartët që rrinë larg projektorëve. Një cikël me 15 intervista e portrete profesionistësh, përjetëson restauratorë, këpucëbërës, garderobierë, violinëpunues a kinomekanikë si një qasje drejt atyre zanateve që ndihmojnë artin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se albumi, erdhi si një ide për të qenë pranë dhe për të pasur vëmendje ndaj njerëzve të thjeshtë. Ndërsa autorja e librit,
Alma Mile u shpreh se në të vijnë “sekretet e zanateve që po harrohen dhe që janë përreth nesh”.

Të ftuar në promovimin e albumit që erdhi si nismë e ministrisë së Kulturës specialistët bënë thirrje për vëmendje të shtuar duke përmendur mungesat.
Isuf Skënderi, gurgdhendës tha se do e nisë me kritikë sepse kush te kritikon të do. “Duhet muze etnografik në Tiranë sepse ka shumë gjëra që s’kanë ku ekspozohen. Është turp që nuk kemi muze, zoti me dhëntë jetë të mund të jap një muze. A keni parë një qytet në botë që s’ka muze etnografik si Tirana? Ose një pazar për këto se si ju edhe unë, i çoni turistët në Krujë”, tha ai.

Pos problematikës, një jetë kujtimesh u shpërfaq me nostalgji e keqardhje. Kinomekaniku Teodor Ziu kujtoi se shkatërrimi i kinemave është humbje. Po ashtu edhe garderobierja Koralda Prifti, kujtoi se në secilin kostum teatri ka mesazh brenda.

Zanate që po zhduken dhe zanatçinj të heshtur, përcjellin dhe fshijnë me veten të shkuarën dhe proceset e punës që krijonin veglat e artit a mbanin në këmbë jetën e sociale e artistike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb