Vendimi i deputetes Marjana Koçeku ka marrë vëmendje ditët e fundit, pas largimit të saj nga grupit parlamentar i PS. Në një postim në Facebook pak ditë më parë ajo bëri me dije në një postim në rrjetet sociale se do të ishte pjesë e Parlamentit si një deputete e pavarur.

Ndërkohë ditën e djeshme ajo sfidoi kryeministrin Rama që të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Koçeku ka postuar sot një tjetër status në rrjetet sociale, ku pretendon se familja e saj është kërcënuar nga grupi i Bajrave.

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruan ajo.

Ndërkohë avokati i Bajrajve, Sokol Tahiraj ka reaguar duke i quajtur pretendimet e Koçekut, të pabaza,

REAGIMI:

Në lidhje me deklaratat e bëra publikisht nga deputetja Marjana Koçeku, të cilat përmendin klientët tanë dhe i referohen atyre me etiketime denigruese e paragjykuese, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë.

Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues.

Deklaratat e deputetes, të cilat përmendin klientët tanë në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për më tepër, gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre.

Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre.

Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale.

Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb