Policia e Shtetit i ka shtrirë kontrollet nga Shëngjini në Vlorë, për zbatimin e nismës “Bregdeti ynë”, e cila konsiston në ndalimin e objekteve pa leje.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia sqaron se në Shëngjin janë verifikuar 36 subjekte dhe të gjitha këta nuk kanë pasur shkelje rregullash, pasi ishin të pajisur me lejet e nevojshme.

Ndërsa problematike është paraqitur situata në bregdetin e Vlorës, ku nga 37 subjekte të verifikuara deri më tani, janë evidentuar 5 parcela pa leje ku janë hequr rreth 95 shezlongë dhe rreth 20 çadra.

Njoftimi i policisë për Shëngjinin

Shengjin, Lezhë

Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 1 grup FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Stacionit të Policisë Shengjin, IKMT, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Shengjin, Lezhë.

Gjatë vijës bregdetare të shetitorës “Ëillson” Shengjin, janë verifikuar 36 subjekte ,të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje.

Njoftimi i policisë për Vlorën:

Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapsirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Vlorë, Himarë, Sarandë, Policia Bashkiake dhe struktura të mjedisit të Policisë Bashkiake, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në qarkun Vlorë.

Kontrolli ka filluar nga Zvërneci deri në Ksamil, dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.

Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 37 subjekte janë evidentuar 5 parcela pa leje ku janë hequr rreth 95 shezlongë dhe rreth 20 çadra.

Operacioni vijon pa probleme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb