TIRANË

Analisti Mentor Nazarko ka qenë sot i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 për të folur për disa nga temat e aktualitetit. Nazarko ka dhënë një koment dhe për situatën e zjarreve në vend, duke vlerësuar nga njëra anë angazhimin e strukturave ekzistuese dhe nga ana tjetër duke kërkuar që qeveria të përgjigjet për çështjen e ngritur nga opozita për helikopterët. Nuk ka munguar dhe opinioni për debatin e ndezur për pjesëmarrjen e muzikantit serbo-boshnjak në Korçë, për të cilin Nazarko tha se nga përplasja kombi shqiptar do të dalë më i bashkuar dhe nuk do ketë ndarje.

“Nuk jam ekspert zjarresh, por me një lloj përkujdesi analitik kam shquar disa momente. Së pari më duket se ka angazhim të strukturave ekzistuese, në nivelin më të lartë.
Thënë këtë, kam shquar në morinë e informacioneve dhe komenteve e gjykimeve që vijnë rreth këtij problemi- që nuk është problem shqiptar- edhe dy elementë. Elementi i parë është ai i flotës së helikopterëve të Shqipërisë: vërejtja që bën opozita në lidhje me mungesën e tyre në këtë moment, meriton përgjigje nga ana e qeverisë. Ku janë helikopterët që Shqipëria i ka blerë në Francë në momentin aktual? A janë ata me karakter universal apo të papërdorshëm për këto lloj funksionesh? Janë në ofiçinë në Itali, ka ndryshime për shkak të kontratës së riparimit të tyre apo jo? Mendoj që pavarësisht stilit të opozitës, që vazhdon të jetë stil i vjetër, fakt është që në këtë lloj kritike të opozitës ka një moment që meriton vlerësim. Ku janë 4 helikopterët e mbetur, se njëri më duket është i rrëzuari në Shkodër. Kjo pikëpyetje meriton përgjigje nga ana e qeverisë.
Momenti i tretë është çështja e reformës në shërbimet e emergjencës. Kam lexuar një shkrim të gjeneral Piro Ahmetaj i cili propozonte një ristrukturim të këtyre lloj shërbimeve dhe duke pasur parasysh dhe kontekstin global kur Shqipëria apo bota duhet të përballen me kriza të tilla për shkak të ngrohjes globale atëherë është e nevojshme të kemi një reformim tërësor të këtij shërbimi, shkëputje të tij nga MM, etj”, tha Nazarko.

Ai foli dhe për lajmin e dorëheqjes masive në degën e PD në Korçë.
“Është një moment i vështirë për të gjithë PD-në. Ngjarjet në degën e Korçës janë ilustruese e sëmundjes, e problemit që ka PD në përshtatjen e saj me të qenit humbëse kronike. Po abstragoj pak mbi problemin partiak specifik. Korça si qytet, si qytetërim, si shoqëri duam s’duam, përfaqëson një pjesë e cila mbase reflekton shkallë më të lartë përkushtimi për problemet kombëtare dhe problemet e tjera. Korça ka një lloj diferencimi në këtë çështje, por gjithashtu Korça është një qytet që ka një bashkëjetesë politike, siç ka bashkëjetesë fetare, pra reflekton një shkallë pjekurie tradicionale në lidhje me gjykimin e problemeve politike apo shoqërore. Në këtë kuptim nëse dega e Korçës ka vendosur të reflektojë në këtë mënyrë, sipas kësaj tradite, atëherë është një problem që duhet mbajtur parasysh jo thjesht për të adresuar problemin në Korçë, por në gjithë Shqipërinë. Në lidhje me këtë situatë ka paralele, ka zhvillime të cilat janë të ndryshme në vende të ndryshme. Në një situatë të tillë kur një forcë politike humb zgjedhjet për herë të tretë, natyrisht shtohet diversioni edhe nga pala tjetër. E vërteta është që bëhet gjithmonë e më e vështirë për individin që është angazhuar në opozitë të mbijetojë në kushtet e të qenit kaq gjatë në opozitë”, tha ai.

I pyetur nëse mban përgjegjësi kryetari për këtë gjendje që është krijuar, Nazarko konfirmoi.
“Imagjinoj se po. Mendoj që kryetari qendror, pse jo dhe kryetari lokal. Është shumë e vështirë të kuptosh shkallën e përgjegjësive apo proporcionin e përgjegjësive të secilit. Gjithsesi me këtë që po ndodh në Korçë jemi ende larg shembullit të Kosovës, kur degë të caktuara të një partie kalojnë në një parti tjetër në përfundim të zgjedhjeve, kur humbin zakonisht. Është diçka shumë interesante. Është tregues i nivelit të pluralizmit politik atje, por edhe njëkohësisht e faktit që midis partive politike në viset tona në Kosovë, ato vijat ndarëse janë sa të forta, aq edhe të dobëta. Pra, midis tyre nuk ka ndarje ideologjike dhe pragmatizmi dominon. Duke thënë këtë, nuk jam duke bërë një prognozë që këto degë do i bashkëngjiten PS, por kemi një sindromë që nuk është parë herë të tjera dhe numri i njerëzve të përfshirë në dorëheqje është masiv. Është goditje, është hakmarrje, është diversion, është deideologjizimi i partive apo reflektim lokalist i një problemi kombëtar, kjo mbetet për t’u parë”, tha Nazarko.

Debati i madh për ftesën për muzikantin serbo-boshnjak Goran Bregovic në Korçë nuk ka munguar në analizën e Nazarkos. Ai tha se nuk beson se përplasja aktuale do krijojë ndarje mes pjesëve të kombit dhe se debati do i shërbejë njohjes më të mirë të njëra-tjetrës në të dy anët e kufirit.
“Ta quajmë duel politik apo çfarë? E vërteta është që kjo lloj përplasjeje në fakt-, duke qenë fans i pluralizmit të ideve, të qasjeve,- i shërben dy pjesëve të kombit për ta njohur njëra-tjetrën më mirë. Kjo është konsiderata e parë që doja të bëja. Së dyti, mendoj që për shkak të njohjes më të mirë që vjen nga momente të tilla, atëherë do shmangen në të ardhmen ndarje të ngjashme.
Natyrisht kam vënë re me shqetësim, me një lloj trishtimi faktin se ata që quhen inxhinierë të opinionit publik, po përpiqen që…me dashje apo pa dashje, për shkak të kërkimit të ‘like’-ve të shumta apo për shkak të nevojës për rreshtim, nevojës për agonizëm gati-gati sportiv, për interesa komercialë artistikë, tregëtarë, spekulantë, të nxisin këtë lloj ndarjeje. Unë mendoj që nuk jemi në rrethanat e një ndarjeje pa kthim”, tha ai.

Nazarko shtoi se natyrisht ka individë politikë, individë mediatikë, ka grupe interesi që fërkojnë duart nga kjo që po ndodh, mundohen që ta përdorin për të krijuar hendeqe midis partive, midis dy pjesëve të kombit, midis elektorateve, midis ndjekësve të një portali apo një tjetri, pse jo dhe midis ndjekësve të një birre në dëm të një birre tjetër, por e vërteta është që shoqëria jonë në të dy anët e kufirit ka nevojë të piqet dhe të kuptojë se cila është domethënia e kësaj që po ndodh.
“Në fillim të zhurmës, edhe për shkak të nivelit të cekët të njohjes sime për çështje artistike, për çështje muzikore,po mendoja se një nivel i lartë politik, ta zëmë kryeministri apo dikush tjetër, mund t’i thoshte Bashkisë së Korçës që ndoshta ishte e nevojshme të rishikohej kjo ftesë, me gjithë komplikimet që mund të sillte anulimi i saj. Mirpo unë jam dialektik. Në momentin e parë po reflektoja për arsyet që kanë pasur organizatorët për ta ftuar dhe po mundohem që t’i pandeh ato, cilat kanë qenë shtysat për të ftuar Bregoviç. Me gjasë për t’i dhënë festës karakter rajonal, sepse Korça është një lloj poli kulturor që po rikthehet në Ballkan; me gjasë me natyrë komerciale, që fluksit të turistëve serbë që vijnë edhe në rrugë tokësore drejt Jugut të Shqipërisë, t’iu sigurohet një ndalesë në Korçë. Pra, të futet dhe Korça në këtë hartën e turizmit rajonal. Një arsye e tretë mund të jetë nevoja për të sjellë prej Korçës një ndikim në relaksimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Një arsyeja e katërt, është që Korça të ruajë këtë flamurin e avangardës në qytetërim, jo thjesht në muzikë, por edhe në fusha të tjera. Mirëpo për shkak të intensitetit të sulmeve që e goditën këtë iniciativë, fillova që të isha i matur dhe po prisja provat që tregonin se vërtetë Bregoviç ishte dikush që ishte njollosur, një intelektual i cili e përfaqësonte regjimin e Milosheviçit apo kriminelët e luftës. E vërteta është që këto prova janë shumë të dobëta. Sa për shembull, për inteligjencën akute të Berat Buzhalës është një provë jo dhe aq e ndritshmë,, tuiteri kur thotë: ja një lajm i keq për mbështetësit e ardhjes së Bregoviç në Korçë! Bregoviç paska marrë pjesë në një koncert kundër NATO-s në Greqi në ‘99. Kjo më duket pak zvogëluese për inteligjencën e atyre që arkitektojnë apo inxhinierojnë një gjë të tillë: ne nuk mund të presim, -megjithëse ishte e vetmja provë e fuqishme kundër Bregoviç-, që Bregoviç të reagonte me shumë simpati dërgimin e bombave të NATO-s edhe mbi shtëpinë e vet. Mendoj që është një budallallëk që t’ja kërkoje atij atëherë atë gjë. Megjithëse fakti që në kohën e dashurisë greko-serbe në 1999- sot koha është më ndryshe-, të prisje që publiku i muzikës së tij të klithte kundër NATO-s. Me pak fjalë zgjodha këtë shembull për të thënë që provat që do ta njollosnin këtë artist nga pikëpamja e shoviznimit apo racizmit, nuk ekzistojnë ose janë shumë të dobëta”, tha ai.

Sipas Nazarkos, mungesën e provave e kanë ilustruar dhe vetë gazetarë kosovarë të cilët janë njohës më të mirë të vetë Bregoviç, muzikës së tij, të raportit të tij me regjimin, etj.
“Mirpo jam i prirur ta shoh pozitivisht këtë që po ndodh:-nga kjo që ndodh shoqëria jonë e njeh më mirë njëra-tjetrën. Polemikat rreth Bregoviçit janë polemika që kanë selitur kopshtin tonë të pluralizmit të ideve dhe të qasjeve. Unë mendoj që nuk do krijohet ajo ndarja e madhe pa kthim të cilën natyrisht ka dhe qarqe politike, mund të ketë dhe shtete që investohen për ta krijuar këtë ndarje midis dy pjesëve të kombit. Natyrisht shpesh herë motivet kulturore mund të bëhen motive ndarjeje shoqërore apo ndarjeje kombëtare, por nuk besoj se ky është rasti. Në gjykimin tim, në përzgjedhjen e Bregoviçit mund të ishte reflektuar pak më gjatë. Me gjasë është përzgjedhur ai sepse ai është një figurë që reflekton shkallën e njohjes që ka shoqëria jonë, brezi i mesëm e sipër për muzikën serbe. Me gjasë rinia jonë nuk i njeh reperët serbë, nuk e njeh muzikën moderne serbe, brezi i mesëm njeh këtë lloj muzike. Bregoviç është një figurë i cili për shkak të jetës që ka bërë, për shkak të origjinës së tij etnike, me baba kroat, me nënë serbe, me grua myslimane, është një figurë me muzikë të kombinuar- thoshte Migjen Kelmendi,- imagjino që ka kënduar dhe në shqip. Ai shpreh nga pak atë përzierjen kulturore apo identitetin e mikstuar kulturor të atij shteti që ishte Jugosllavia. Unë mendoj që është një provokim kulturor ajo që ka ndodhur me identifikimin e zgjedhjen e tij për ta ftuar në festën e Birrës.
Provokim politik? Një nga vëllezërit Prifti thoshte që me gjasë është Rama mbrapa kësaj gjëje… Mund të jetë e vërtetë, sepse prapa kësaj inisiative a përzgjedhjeje, ka një shtysë politike, ashtu si është politik frymëzimi që vjen nga disa influencerë të lidhur me njerin krah politik në Kosovë, e që pastaj rezonojnë apo amplifikohen, qoftë për shkak të përfshirjes së artistëve tanë dhe të Kosovës, qoftë dhe një lloj mjedisi favorizues social në Kosovë për kësi lloj idesh ndarëse. Unë nuk e mohoj se gjithçka që po ndodh,- edhe polemika përfshirë -mund të sjellë si një lloj dimensioni të vullnetshëm a të pavullnetshëm një lloj relaksimi në mënyrën se si dy popujt apo dy kombet e shohin njëri-tjetrin, por unë nuk besoj që do të krijohet kjo ndarje midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në një moment të parë u duk se kundër ardhjes, apo kundër këndimit të Bregoviç në Korçë u rreshtuan shumë zëra të shquar, ndërkohë që në pjesën tonë, në pjesën e Shqipërisë kishte shumë pak zëra ose aspak”, u shpreh analisti i njohur.

“Peshuan në këtë rreshtim, dhe influencerët socialë, të rrjetev sociale, apo heshtja e atyre me ndikim në Kosovë”-vijoi ai.. Mirpo Nazarko shtoi se “edhe zërat e arsyeshëm apo kritikë me Bregoviçin, apo Ramën, nuk kanë theksuar askush probleme të Bregoviç me kombin shqiptar. Edhe Migjen Kelmendi në një shkrim të vetin, shumë të bukur në 2006, kur Bregoviç dha koncertin e parë në Tiranë, nuk flet për prova të prekshme. Ai thjesht supozon se një njeri i tillë bashkë me Kusturicën ishte i mbështetur fuqishëm nga Miloshevici që i lejonte xhirimin e filmit Underground në Beograd, etj. Mirpo në atë shkrim sugjestiv merrej përsipër të rrëzohej me një të rënë të lapsit, dhe Kadareja me tezën e identitetit europian, edhe Rama, edhe Enver Hoxha. Sipas Kelmendit, Bregoviçi, ja arriti të shpërfaqte përbërësen orientale të identitetit tonë, madje tërë identitetin tonë oriental, duke rrëzuar sipas tij tezën e Kadaresë! Ngatërrohej pjesa me të tërën, por kjo është temë e gjerë.
“Në këtë kuptim, një nga dobitë e këtij debati është se duhet të ketë një moment kur ne duhet të reflektojmë për marrëdhënien që duhet të kemi me serbët, tash e tutje. Sa i përket gjenocidit, ka një arsyetim themelor që duhet ta bëjmë dhe që nuk është thjesht arsyetim emocional, por i lidhur me të drejtën ndërkombëtare, por dhe me historinë. Shqiptarët si komb i kanë mundur serbët në vitin 1999. Genocidi apo aparteidi që kanë ushtruar serbët mbi shqiptarët që nga 1878, -periudhë për të cilën fliste libri mbi muhaxhirët që Albin Kurti ia dhuroi Vuçiçit,- e këtej, në një farë mënyre u shpagua me fitoren e kombit shqiptar bashkë me Perëndimin në vitin 1999. Mu për shkak të këtij gjenocidi, dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e kanë quajtur tërësisht të ligjshëm jo vetëm bombardimin, pra jo thjesht shpëtimin e popullit shqiptar nga zhdukja, por edhe shkëputjen e territorit. U përdor forca mbi Serbinë, mbi një shtet sovran për të shpëtuar popullin shqiptar. Ndërkohë që përdorimi i forcës me Kartën e OKB-së autorizohet vetëm me një vendim të Këshillit të Sigurimit. Mirëpo edhe pavarësia e Kosovës u konsiderua me zhvillimin, me evoluimin e së drejtës ndërkombëtar si një veprim i ligjshëm sepse Serbia e humbi të drejtën e qeverisjes mbi popullin shqiptar për shkak të gjenocidit. Në një kuptim populli shqiptar i Kosovës e ka fituar luftën me Serbinë dhe genocidi u shpagua”, deklaroi ai.

Nazarko theksoi më tej se historia në të cilën kemi hyrë tani me Serbinë është një histori e paqes. “Ne duhet ta fitojmë edhe paqen, ashtu si tha Klinton, arkitekt i luftës, në një tubim në Kosovë në vitin 2000.. Është koha që Kosova, së bashku me Shqipërinë, së bashku me Perëndimin duhet ta fitojnë paqen.
Për ta fituar paqen nuk duhet të bëjmë armiq të rinj, aq më tepër të gjejmë armiq brenda familjes, për shembull tek vëllai, megjithëse ndonjëherë Shqipëria në imagjinatën kolektive quhet “Nëna”.. Kjo çështja e komunikimit të Shqipërisë me Serbinë është një çështje që konstruktohet. Është konstrukt politik, i cili nga grupe të caktuara politike apo interesi në Kosovë, po jetësohet për ta etiketuar Shqipërinë si një vend i cili injoron apo nuk është ndjeshme për gjenocidin. Kjo është e padrejtë. Shqipëria, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, e majta, apo e djathta, e ka ndihmuar Kosovën, sepse ky ka qenë detyrimi kombëtar, apo universal humanitar, sado e dobët që ishte Shqipëria e 1998, sado që rrezikonte duke e bërë këtë. Ndjenjat e afrisë, të bashkimit midis dy pjesëve të kombit, janë të testuara, testimi më i fundit ishte tërmeti. Besoj që nga ky debat kombi shqiptar do dalë më i bashkuar. Do zhduken si me një lloj magjie nga një ngjarje tjetër, këto ndarje konstruktuar me shumë mjeshtëri, për arsye komerciale, për arsye partiake nga dikush që nuk e di se kush është. Kjo që po ndodh nuk duhet të ekzagjerohet për nga rëndësia, megjithë lojën që bëhet me emocionet, me tragjedinë, që duhet të shpaguhet dhe me avokatë,që të ndihmohet Kosova në gjyqin ndërkombëtar.
A mund të vendoset lidhje midis ftesës së Bregoviç dhe iniciativës Balkan Open? Po, ka përpjekje teorike për t’i lidhur, mirpo ne nuk humbim as nga përplasja e ideve që nxiten nga këto përpjekje teorike, apo inxhinierime. Sigurisht nuk duhet të biem në banalitetin sado i suksesshëm është në like të vendosim lidhje midis pushimeve në Jug të Grenellit, Minishengenit të tij, pronarit të Birra Korçës, etj, etj, se këto janë fyese për inteligjencën njerëzore. Është e arsyeshme të diskutohet për një lidhje, edhe nëse ka, ndonëse unë mendoj që nuk ka. Në fund të fundit fjala kyçe që mund t’i lidhte do të ishte relaksimi i marrëdhënieve me Serbinë. A është koha për relaksimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa harruar asnjëherë borxhin që na ka?
Unë mendoj që është koha. Relaksimi i marrëdhënieve do të thotë shkëmbimet e njerëzve, shkëmbimet e biznesit, natyrisht duke llogaritur cilat janë vantazhet apo disavantazhet e kësaj hapjeje. Natyrisht Shqipëria ka nevojë për ekspertizë, lexova me kënaqësi një shkrim të Irena Beqirajt e do duhet të dëgjojmë pse jo dhe Sali Berishën i cili kishte një arsyetim të mençur në lidhje me paralelet që vendoste midis SHBA-ve, traktateve të saj të tregtisë së lirë me vendet fqinje në kohën e Trump dhe Balkan Open.
Diskutimi, debati, në një spektër kaq të gjerë tematik mund t’i shërbejë maturimit tonë si komb, afrimit të dy pjesëve, ose të dy vëllezërve, pavarësisht se ndonjëherë Shqipëria quhet nënë dhe mendoj që kushdo që përpiqet të konstruktojë ndarje në emër të interesave partikularë, të veçantë nuk do ketë sukses”, deklaroi Nazarko.

“Midis dy pjesëve të kombit ka gjak, ka gjuhë, ka histori mijëvjeçare, që nuk zhbëhet nga një inisiativë që do harrohet, sepse çudia më e madhe zgjat veç dy ditë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb