Brenda paraburgimit Jordan Misja, ose siç njihet ndryshe burgu “313” në kryeqytet, 20 qeli janë përshtatur sipas ligjit nr. 108/2018, i cili parashikon masa të rrepta sigurie për një kategori të dënuarisht, kryesisht ata të përfshirë në krim të organizuar.

News 24 vëzhgoi nga afër qelitë e fortifikuara, izolimit brenda të cilave u trembet çdo i dënuar. Masat e sigurisë nuk mbarojnë këtu. Edhe ushqimin, ata që do t’i nënshtrohen burgut të egër, do ta marrin përmes kësaj dere të vogël.

Ndërsa çdo lëvizje e tyre dhe punonjësve të sigurisë vëzhgohet nga kamerat e sigurisë të instaluara në çdo cep. Por, për të shmangur kontaktet me botën e jashtme, ligji parashikon që i dënuari të ketë të drejtën e vetëm një takimi në muaj me familjarët e tij.

Bisedat mes të dënuarit dhe familjarit do të regjistrohen audio dhe video dhe do të mbikëqyren nga punonjësit e sigurisë. Çdo i izoluar në regjimin e posaçëm të burgut të sigurisë së lartë ka të drejtën e vetëm një telefonate me jashtë, e cila do të regjistrohet ndërkohë që i dënuari do të monitorohet nga forcat e sigurisë.

Edhe shoqërimi në drejtim të gjykatës do të realizohet nën masa të rrepta sigurie, përmes tunelit të nëndheshëm që lidh burgun me gjykatën për Krime të Rënda.

Por cilët janë bosët e krimit, që rrezikojnë të kyçen ne qelitë e tmerrit? Sipas ligjit, regjimit të posaçëm i nënshtrohen të gjithë të dënuarit e sigurisë së lartë dhe të paraburgosurit, që po hetohen apo gjykohen për vepra të rënda penale të kryera në kuadër të grupit kriminal, organizatës kriminale, apo organizatës terroriste.

Për sa kohë ende nuk ka nisur nga puna Prokuroria e Posaçme ose siç njihet ndryshe SPAK, vetëm me kërkesë të argumentuar të kësaj strukture, ministri i Drejtësisë vihet në lëvizje dhe merr vendim për izolimin e të dënuarit, pasi më herët të jetë konsultuar me ministrin e Brendshëm dhe të ketë mbledhur informacion nga institucionet e tjera ligjzbatuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb