Nga sot nis funksionimin sistemi i Informacionit dhe Inteligjencës për Bujqësinë, (AGIS), një platformë e re statistikash zyrtare për mbi 75 produkte bujqësore, blegtorale dhe të dhënash nga sektori i agrobiznesit. Ky sistem pritet t’i vijë në ndihmë biznesit rural, për t’u orientuar në përparësitë e prodhimin bujqësor vendas, kreditimit dhe zhvillimin e integruar të tij.

Ministri i Bujqesise, Panariti e cilësoi platformën (AGIS) si një pikë referimi për institucionet bankare në mbështetje të sektorit bujqësor dhe si një mekanizëm i rëndësishëm për thithjen e investitorëve të huaj.

I pranishëm në aktivitetin e organizuar në Tiranë, nga Ambasada Zvicerane dhe projekti i saj RisiAlbania në partneritet me Creative Business Solutions (CBS), ku u prezantua platforma inovative dhe profesionale online AGIS – Sistemin e Informacionit dhe Inteligjencës për Bujqësinë, ministri Panariti tha se, kjo platformë (AGIS) do të jetë një pikë referimi për institucionet bankare në mbështetje të sektorit bujqësor.

“Informacionet e statistikave bujqësore, janë një pikënisje për cdo investim në bujqësi”, theksoi Panariti.

“Nga grantet e BE përfituan dhjetëra fermerë. Po përgatitemi për një fazë tjetër dhe jam i sigurt që do të rrisim marrjen e parave për rritjen e prodhimeve bujqësore me grantin prej 91 mln Euro. Falënderoj BE dhe GIZ për gjithë mbështetjen e dhënë bujqësisë shqiptare”, theksoi ministri i Bujqësisë.

Ndërsa Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, në fjalën e mbajtur me këtë rast, vuri theksin në domosdoshmërinë e financimit të SME-ve, dhe sektorit bujqësor, përmes platformave inovative si AGIS, e cila është një burimin i besueshëm e gjithëpërfshirës i statistikave dhe të dhënave bujqësore në Shqipëri.

Enio Jaço Drejtor Ekzekutiv i CBS dhe Edlira Muedini, menaxhere e projektit Risi Albania, theksuan se, vënien e platformës AGIS, në shërbim të aktorëve rural, si modeli i një platforme unike që mbledh të gjitha të dhënat zyrtare për bujqësinë në vendin tonë, do të rrisë kreditimin dhe do të ndihmojë në orjentimin e politikave të zhvillimit.

Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të Qeverisë, ambasadës së Zvicrës, USAID, drejtues të bankave dhe të institucioneve financiare, ekspertë dhe sipërmarrës në bujqësi, donatorë dhe investitorë, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi vlerat dhe mundësitë që ofron sistemi AGIS.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: