TIRANE- Prokurorët e njohur Rovena Gashi dhe Dritan Gina zyrtarisht janë të dy të papunë.

Nuk dimë nëse veprimet e Prokurorisë së Durrësit për t’i marrë si të pandehur çiftin e bashkëshortëve, prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina dhe vendimi i kryeprokurores Arta Marku për t’i pezulluar nga detyra janë të qëllimshme, por dimë që mes zonjës Arta Marku dhe Rovena Gashit ka pasur një përplasje menjëherë sapo Arta Marku mori frenat e Prokurorisë së Përgjithshme.

Rovena Gashi e cilësuar si “krau i djathtë” i ish-kryeprokurorit Adritik Llalla, u shkarkua me urdhër të Arta Markut nga pozicioni i Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe shefes së “Dekriminalizimit”.

Ky veprim i zonjës Marku pasoi me një padi në Gjykatën Administrative nga Rovena Gashi. Gashi kërkon nga Gjykata pezullimin e urdhërit për lirimin e saj, si edhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të urdhrit të Prokurorit të Pergjithshëm të Perkohshëm.

Arsyeja me të cilën prokurorja e përkohshme largoi Gashin nga detyra ka të bëjë me kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica. Me dërgimin e kërkesave në KQZ, prokurorja ka informuar zyrtarisht edhe Kryeprokuroren për vendimmarrjen e saj. Por, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme duket se është ndjerë e anashkaluar, pasi vendimmarrja e Gashit nuk është konsultuar paraprakisht me titullaren. Për këtë arsye, Marku ka vendosur të shkarkojë prokuroren Gashi.

E ndërsa lufta mes tyre mund të quhej tashmë e shpallur, kryeprokurorja bëri një tjetër hap. Në janar Marku i ndërpreu detyrën si i komanduar në krye të Prokurorisë së Durrësit bashkëshortit të Gashit, Dritan Ginës. Ky i fundit refuzoi të largohej nga detyra dhe paditi sërish kryeprokuroren.

E ndërsa Marku përballet në gjykatë si me Gashin ashtu edhe me Ginën, për shkarkimet nga detyra mësohet për hetimet e nisura nga Prokuroria e Durrësit, pas të cilave kryeprokurorja ka vendosur t’i pezullojë të dy.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb