TIRANE– I ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, zv/ministri i Financave Erion Luci, u ndal në buxhetin e vitit 2019. Luci u shpreh se ky buxhet konsiston në forcimin e rritjes ekonomike e cila nga 4% që u rrit këtë vit, pritet të rritet me 4.3% vitin e ardhshëm.


‘Në fokus është qytetari dhe fermeri dhe shumë aktorë të tjerë, si edhe bizneset. Ky është një buxhet progresiv, i cili synon mbështetjen e rritje ekonomike dhe punësimin’ u shpreh Luci.

Ai vlerësoi një tjetër element pozitiv të këtij buxheti, ndërsa tha se ai është i bazuar mbi të ardhurat që gjeneron vetë qeveria nga taksat.

“Kjo do të thotë se borxhi do vijë në rënie, që jep një siguri tjetër në aspekt të së ardhmes.” -u shpreh zv/ ministri Luci, ndërsa u ndal në shtyllat kryesore të investimeve gjatë vitit të ardhshëm.

‘Si fokus, do të jetë mbyllja ose përshpejtimi i projekteve infrastrukturore të hapur. Unaza e Tiranës do vijojë të marrë një fond të konsiderueshëm. Fushë Krujë Milot-Morine, Qafe Thanë – Lin – Pogradec, Milot-Balldre-Orikum si edhe fillimi i tunelit Kardhiq-Delvinë. Një projekt tjetër me rëndësi është edhe nisja e punimeve i hekurudhës Tiranë Durrës.”-theksoi Luci.

Duke u ndalur në rritjen e pagave për disa sektorë që parashikon buxheti i vitit të ardhshëm, Luci u ndal në shifra konkrete.

“ Sektorët që do përfitojnë janë sektorët e shëndetësisë, arsimit, mbrojtja dhe sistemi penitenciar dhe trupi diplomatik. Në shëndetësi do jenë rreth 4650 mjekë dhe rreth 13 7650 infermierë që do të përfitojnë një fond shtesë rreth 1 mld lekë e konvertuar në terma rritje, në vlerë neto dhe bruto është rreth 7%. Mjekët do vijnë afër 1 mln lekë të reja në muaj, ndërsa infermierët mbi 500 mije lekë.” -deklaroi Luci.

“Sektori tjetër që do të përfitojë do të jetë arsimi. Edhe këtu rritja do të variojë në 7 %, për  35 783 arsimtare. Pagat variojnë më shumë edhe nga vjetërsia, por rritja bazohet te 7 % e cila përkthehet në një vlerë totale 1.4 mld lekë në vit.” Vijoi me tej Luci.

“Te mbrojtja janë 6800 ushtarakë që do të marrin një rritje të krahasueshme edhe me sektorët e tjerë, pasi kanë një farë kohe që nuk kanë përfituar rritje. Në sistemin petinciar pritet një rritje për 3560 efektivëve të burgjeve me një efekt rreth 200 mln lekë në vit, edhe kjo varion në rritje me 7%. Po ashtu një rritje do të ketë edhe për trupin diplomatik“ u shpreh Luci.

Edhe në lidhje me pushtetin vendor, i cili është një tjetër element i rëndësishëm reforme, do ketë një tjetër ndryshim sa i përket arsimit parashkollor. Është një tjetër hallkë e rëndësishme, e cila duke nisur nga fillim i vitit që vjen kalon plotësisht nën funksionin e qeverisë vendore. Këtu është bërë një ndryshim pozitiv. Kalimi nga numra mësuesish në kalimin në numra fëmijësh, pa shkurtuar ato zona që kanë numër të vogël fëmijësh por duke mbështetur zonat me numër të lartë.  Që do rezultojnë rreth 438 mësues shtesë, apo edukatorë shtesë. Kjo do shoqërohet me një rritje të pagës me gati 9,1% dhe numri pritet të bjerë nga 26 në 18 fëmijë për edukator”  -tha zv/ministri i financave, ndërsa theksoi se ligji do të nis të zbatohet nga muaji prill ose maj i vitit të ardhshëm.

“Paketa fiskale do të ulë barrën fiskale për 15 mijë të punësuar, ulet norma e tatimit për pagat e nivelit të mesëm dhe të lartë. Janë gati 50 mijë investitorë që do përfitojnë nga ulja e normës së tatimit mbi dividentin nga 15 në 8 %. Do ketë 50 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. Është një analizë se si të rritet konkurueshmëria e ekonomisë shqiptare, edhe ndryshimi i mënyrës së taksimit të ambalazhit do krijojë lehtësi për bizneset e fushës.”- tha ai.

Luci u shpreh se lehtësi do të ketë edhe për industrinë fasone që operon në vend, ndërsa u shpreh se bujqësia si një nga prioritetet e buxhetit të ardhshëm ka një fond prej 2.6 mld lekësh, ndërsa theksoi mbështetjen e këtij sektori edhe përmes skemave të BERZH.

(BalkanWeb)