Në buxhetin e vitit 2024 parashikohet rritja e peshës së shpenzimeve për ushtrinë dhe mbrojtjen sociale në krahasim me shpenzimet totale buxhetore, teksa pësojnë rënie shpenzimet për shëndetësinë dhe strehimin. Fondet për çështjet ekonomike dhe mjedisore nuk ndryshojnë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet për mbrojtjen ( ushtrinë) do të zënë 5.6 % të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore me 2024 me një zgjerim 0.7 pikë për qind në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2023.

Shpenzimet për mbrojtjen sociale rrisin peshën me 0.4 % në totalin e shpenzimeve buxhetore, duke arritur në 29.4% vitin që vjen nga 29% që janë këtë vit.

Në anën tjetër shihet se shpenzimet për shëndetësinë kanë një peshë më të ulët në buxhetin e vitin 2024 se, në vitin aktual. Ato do të zënë 9.4 për qind te shpenzimeve totale buxhetore me rënie 0.2% pikë për qind në krahasim me këtë vit. Rënien më të madhe e kanë shpenzimet për strehimin dhe komoditetet e komunitetit me 1.3 pikë përqindje në krahasim me buxhetin e vitit aktual.

Çështjet ekonomike dhe mbrojtja e mjedisit kanë një peshë të njëjtë në raport me shpenzimet e përgjithshme edhe në vitin 2024, teksa shpenzimet për shërbimet arsimore publike rrisin peshën me 0.2 për qind në totalin e shpenzimeve buxhetore vitin që vjen.

Një zë tjetër “Shpenzime të paklasifikuara” që zë më shumë se një të katërtën e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore ka një ulje modeste të peshës vitin e ardhshëm, duke shkuar në 23.3% në vitin 2024 nga 2r.7 për qind që është aktualisht.

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2024 programohet në nivelin 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e PBB-se, me ulje 0.2 pikë për qind në raport me vitin e kaluar.

Shpenzimet e personelit për vitin 2024, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave nisur nga 1 korriku vitin që vjen. Fondi për vijimin e rritjes së pagave duke filluar nga 1 korrik 2024 është planifikuar në shumën 11 miliardë lekë dhe përfshin rritjen e pagës për punonjësit e sistemit shëndetësor, arsimorë, punonjësit me grada dhe nëpunësit e administratës publike. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë ose 4.9% e PBB.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2024 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 63.2 miliardë lekë ose rreth 2.6% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja financiare për skemën e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të IT, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin e sportin.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë 2.9% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013. për rritjen e pagave. Në total, në vitin 2024, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 36.5 miliardë lekë.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 249 miliardë lekë ose 10.2% e PBB. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024, parashikohet në masën 178 miliardë lekë ose 7.3% e PBB.

Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 4.1 miliardë lekë dhe 3.6 miliardë lekë për bonusin e fund-vitit për pensionistët. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2024 janë parashikuar në masën 58 miliardë lekë ose 2.4% e PBB.

/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: