Pak para fillimit të ndeshjes Lorik Cana, ish-kapiteni i Shqipërisë, ka dhënë një intervistë për ndeshjen që nis pas pak çastesh mes kuqezinjve të Panucci-t dhe Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
“Ne jemi më të veçantë se të gjithë tjerët. Kemi një projekt të ri dhe po mundohemi të jemi të durueshëm. Kemi bërë ndeshje jo të mira, por ky është një projekt afatgjatë.
Është një kompeticion i ri, është një risi e re për kombëtaren dhe kemi kundërshtarë të nivelit tonë. Është një mundësi shumë e mirë që të tregojmë ku jemi.
Shqipëria ka shumë shanse për të dalë e para në grupin e saj, pasi duke parë lojtarët që Panuçi ka në përbërje, janë shumë cilësorë. Ndoshta më të mirë se Skocia dhe Izraeli.
Kemi probleme, pasi disa lojtarë janë pa skuadër dhe disa të tjerë nuk kanë luajtur me klubet e tyre, por besoj se do të bëjnë mirë në këto takime.
Kur luaja unë me kombëtaren, ka pasur disnivele të mëdha dhe e kishim të vështirë të kualifikoheshim në Evropian. Ky kompeticion është një mundësi shumë e mirë që historia e Euro 2016 të përsëritet.
Shiriti i kapitenit? Unë i njoh të gjithë lojtarët e Shqipërisë dhe di të them se të gjithë së bashku janë lider në fushë. Nuk duhet shiriti i kapitenit që të cilësohesh si lider. Ansi dhe Mërgimi janë dy emra që mund ta mbajnë shiritin, gjithashtu edhe Etriti.
Por nëse do e kisha unë në dorë, do të zgjidhja Elseid Hysaj pa asnjë diskutim.
Krahasimi me Kosovën: Sinqerisht, nuk besoj se ka një skuadër më shumë se Kosova që është e uritur për sukses. Kanë lojtarë të rinj dhe që kërkojnë të dalin në skenën evropiane. Kosova ka shumë më shumë prurje talentesh se Shqipëria dhe në vitet e ardhshme, besoj se Kosova do të bëjë më mirë se kombëtarja kuqezi.
(BalkanWeb)