BULQIZE- Qeveria shqiptare më 1 shtator do të nisë një aksion të gjerë në luftën ndaj informalitetit, ku në fokus do të jetë dhe sektori minerar, që konsiderohet mjaft problematik. Deklarata u bë dje nga ministri Shkëlqim Cani gjatë një takimi të zhvilluar në veri të vendit me sipërmarrës të sektorit minerar. Gjatë takimit në Bulqizë ishin të pranishëm dhe shprehën qëndrimin e tyre edhe zv/ ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja, si dhe drejtorët e përgjithshëm të DPT dhe DPD.

“Qeveria shqiptare është angazhuar prej kohësh në hartimin e një strategjie ndaj luftës së informalitetit dhe në 1 shtator do të fillojë zbatimi në terren i kësaj reforme, në mënyrë që të shkëputemi njëherë e mirë ndaj niveleve të papranueshme të evazionit fiskal”, tha Cani në çelje të bashkëbisedimit me sipërmarrësit e minerareve.

Duke folur për strategjinë dhe problematikën e evazionit fiskal, ministri i Financave sqaroi se problematike mbetet nëndeklarimi i të ardhurave, mungesa e licencimeve, si dhe mosdhënia gjithnjë e kuponëve tatimorë etj. Lidhur me sektorin minerar, ministri Cani nënvizoi se është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë Shqiptare.

“Sektori i minierave përbën një sektor që ka qenë në fokus të politikave tona fiskale për t’u zhvilluar dhe për t’u lehtësuar nga barra fiskale (kemi ulur taksimin për përpunimin në vend, kemi ulur moshën e pensioneve për minatorët etj. Mirëpo – shtoi ai – është e papranueshme që në një sektor të stimuluar me politika fiskale, të privilegjuar, pasi iu është dhënë e drejta për të siguruar të ardhura nga pasuria kombëtare, të kemi nivele të larta informalitetit”, tha Cani. Në këtë drejtim, ministri Financave sqaroi se problem mbetet deklarimi i cilësisë së ulët të mineraleve të eksportuara, me qëllim që të paguhen më pak rente në doganë.

“Prandaj – tha Cani – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të bëjë verifikimet për çdo rast me të gjitha vendet ku janë eksportuar mineralet tona. Do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Energjetikës për të marrë informacion mbi cilësinë e mineralit të secilit subjekt, mbi bazën e të dhënave të lejeve të shfrytëzimit sipas zonave”, theksoi Cani.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb