“Çatitë e kuqe të Gjirokastrës”, dokumentari i gazetares së Nws24 Brikena Metaj është transmetuar në Gjirokastër, në kuadër të Javës Italiane të Kulturës.

“Arkitektura italiane e 900-ës” ka qenë në qendër të aktiviteteve të kësaj jave organizuar në qytetin e gurtë.

Eventi i zhvilluar në teatrin e qytetit, bëri bashkë gjirokastritë dhe italianë, ku nuk munguan konsullja e përgjithshme e Italisë Iva Palmieri, përfaqësues të ambasadës italiane, artistë, shkrimtarë dhe gazetarë italianë.

Mbrëmja ka kulmuar me një koncert instrumental nga Olen Çezari, që është pritur ngrohtë nga publiku gjatë interpretimit të një repertori të përzgjedhur me kolonat e disa filmave më të njohur dhe pjesë të kompozuara prej vetë tij.

Për artistin me famë botërore, artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi në botë dhe nëpërmjet tyre, gjatë këtyre tre dekadave, Shqipëria ka treguar anën e vet më të mirë.

Përgjatë një jave qytete si Tirana, Shkodra, Vlora, Berati, Gjirokastra kanë mirëpritur javën e kulturës italiane me një sërë aktivitetesh që do të përmbyllen në Përmet, me përurimin e kinemasë multifunksionale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb