Gjenevë

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Turqia beson në partnerët e saj rusë për tërheqjen e terroristëve të PKK/YPG-së nga rajoni, por se nuk mund t’u besojë terroristëve.

“Rusia na informoi se elementët e PKK/YPG-së u larguan. Ne duhet t’u besojmë partnerëve tanë rusë, por nuk mund t’u besojmë terroristëve”, tha Çavuşoğlu, në një konferencë të përbashkët për media në Gjenevë me homologun e tij rus dhe atë iranian.

Duke folur për takimin e Komitetit Kushtetues të Sirisë, që do të fillojë nesër, Çavuşoğlu tha se nisja e bisedimeve mbi kushtetutën e re të Sirisë është një hap i madh përpara.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, në mënyrë që të sigurojnë kufijtë e Turqisë, të ndihmojnë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojnë integritetin territorial të Sirisë.

Më 22 tetor, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim në qytetin rus Soçi.

Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb