Producenti i një seriali komik të rrjetit televiziv amerikan CBS ka kërkuar falje lidhur me shakatë e bëra për Masakrën e Srebrenicës.

Boshnjakët në Evropë dhe në Amerikën e Veriut kanë reaguar me zemërim pas transmetimit të një episodi të serialit “Çifti i çuditshëm”, muajin e kaluar.

Në këtë episod, një personazh mashkull e fton në takim një vajzë për të shkuar në një restorant serb, i quajtur “Shija e Srebrenicës”.

Ai gjithashtu e shqipton keq emrin e qytetit në të cilin janë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995.

Në deklaratën e CBS-it, dërguar Radios Evropa e Lirë, producenti Bob Daily thotë:

“Nuk kemi pasur dijeni për çfarëdo lidhjeje me tragjedinë e tmerrshme në Srebrenicë. Ne kurrë nuk do të shpërfillnim me qëllim një ngjarje të tillë dhe sinqerisht i kërkojmë falje kujtdo që është ofenduar”, ka thënë Daily.

“Të thuash eja të shkojmë në një restorant të ri të quajtur ‘Shija e Srebrenicës’ është njësoj sikurse të thuash diçka të tmerrshme të llojit: Eja të shkojmë në një restorant të ri gjerman të quajtur ‘Shija e Auschwitzit’,” kishte thënë përmes një letre të hapur Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës së Veriut, i cili përfaqëson migrantët dhe refugjatët nga ky rajon i ish-Jugosllavisë.

Kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, CBS nuk kishte dhënë menjëherë përgjigje ndaj një kërkese përmes emailit, për të komentuar lidhur me episodin në fjalë.

Vrasjet, që për shumë myslimanë të Bosnjës janë ende një kujtim i freskët, ndezën një zemërim ndërkombëtar dhe ndikuan në nxitjen e ndërhyrjes së forcave të jashtme për përmbylljen e luftërave të viteve 1990 në Jugosllavi.

Në vitin 2004, tribunali i Kombeve të Bashkuara që merret me krimet e luftës në Jugosllavi, ngjarjet e Srebrenicës i cilësoi zyrtarisht si ‘gjenocid’.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: