TIRANË

Zbulimi i një celule terroriste nga policia shqiptare që planifikonte sulm mbi komunitetin e muxhahedinëve në Shqipëri ishte fokusi i diskutimeve në “Real Story” në News24. Gazetarë dhe ekspertë të sigurisë kanë folur për rolin e këtij grupi dhe operacionin e policisë.

Gazetari Ferdinand Dervishi deklaroi se ajo që është vënë re dhe që është vërtetuar deri tani nga shërbimet sekrete është që pushteti iranian ka tentuar të bindë elementë të lëkundur nga MEK për t’i kthyer mbrapsht në Iran. Ai tha se nuk e beson që kishin ndërmend të kryenin akte terroriste ndaj komunitetit muxhahedin.

Për ekspertin e sigurisë Arjan Dyrmishi nxjerrja e këtij operacioni ose publikimi i emrave është më shumë në kuadrin e diplomacisë dhe e dërgimit të disa mesazheve duke shtuar se ata persona nuk do arrestohen ndonjëherë.

Ferdinand Dervishi, gazetar: Duhet të sqarojmë diçka. Pse policia po merret me një pjesë që i takon shërbimit sekret. Mesa di unë në kohën kur kanë ardhur shumica e këtyre iranianëve ka qenë drejtor Visho Ajazi dhe ka pasur një farë mospajtimi në atë kohë me qeverinë. Dhe është krijuar në polici një strukturë e posaçme për të siguruar këta njerëz. Nuk është se refuzonte, thjesht kishte një farë mosbesimi. Në këtë kohë i besohet policisë, prandaj policia doli dhe bëri këtë deklaratë.

Xhavit Shala, ekspert i sigurisë: Në kuadër të luftës kundër terrorizmit është krijuar një drejtori dhe janë trajnuar nga të huajt. Objekti i kësaj drejtorie është parandalimi i çdo akti të mundshëm terrorist në Shqipëri dhe për ndjekjen e çdo veprimtarie terroriste është një bashkëpunues i agjencive simotra në këtë fushë. bashkëpunon shumë me shërbimin sekret. Por Shërbimi sekret nuk ka kompetenca ekzekutive. E mbledh informacionin dhe këtë do t’ia përcjellë drejtorisë së anti terrorit. Jo se drejtoria e anti terrorit në Shqipëri është krijuar për t’u marrë me MEK-un.

Arjan Dyrmishi, ekspert i sigurisë: Nxjerrja e këtij operacioni ose publikimi i emrave është më shumë në kuadrin e diplomacisë dhe e dërgimit të disa mesazheve sepse faktikisht ata persona nuk mendoj se do arrijnë do arrestohen ndonjëherë. Ata operojnë me lloj-lloj emrash mbiemrash.

Nuk ka pasur qëllim që të parandalojë një akt që është duke ndodhur. Kështu që më tepër duket se ka këtë pamje, si operacion. Ka dhe një konfuzion për sa i përket asaj që mund të jetë një njësi operative shtetërore apo celulë terroriste.

Dervishi: Muxhahedinët janë opozita, pjesa më e fortë. Qeveria e Iranit ka probleme shumë të mëdha. Por problemin më të madh të pushtetit të brendshëm ka pikërisht këta. Janë të interesuar për t’i zhbërë, për t’i zvogëluar. Këta nuk kanë gjë me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe Irani nuk ka gjë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Këta e kanë luftën dhe betejën me njeri-tjetrin. Ne nuk jemi një shtet me ndonjë potencial të madh. Me Iranin kemi pasur marrëdhënie të mira.

Ajo që është vënë re dhe që është vërtetuar deri tani nga shërbimet sekrete është që ata kanë tentuar të bindin elementë të lëkundur për t’i kthyer mbrapsht në Iran. Janë 5-6 raste që ata i kanë bindur dhe i kanë bashkuar me shumicën atje. Nuk i kanë futur në burg. Nuk kanë ardhur këtu e janë futur si spiunë të mirëfilltë për një akt terroristë etj, është vërtetuar vetëm kjo që thashë.
Nuk e besoj që kishin ndërmend të kryenin akte terroriste ndaj komunitetit muxhahedin. Nuk më pëlqen si histori.

Nëse kemi një akt terrorist ndodh e kundërta nuk kapen ata që janë terroristë, por ndodh që shpërthen një bombë a kapet një bombë e pashpërthyer etj, etj e pastaj shkohet tek këta, diçka e tillë. Mua më duket pak e mbrapshtë. Janë kapur dy njerëz të veshur si gazetarë që besoj se kanë ardhur për të marrë ndonjë informacion më e shumta dhe për të parë se çfarë po ndodh, jo pjesa tjetër e terrorit por më mbrapa iu paskan dalë atyre, pasi i kanë lëshuar që qenkan më të rrezikshëm se dy gazetarë. Nuk e besoj si fabul.

Xhavit Shala: Është parandaluar një akt terrorist. Nuk ka vlerë arrestimi sa ka vlerë mesazhi që u jepet palëve që digjet ky rrjet. Efektivisht këta persona nuk shkelin dot më pas në Shqipëri e as në Europën Perëndimore. Ne i themi celulë terroriste sepse sot ndjeshmëria është shumë e madhe për këto çështje por janë celulë e shërbimeve inteligjente iraniane, mbrapa ka shtetin. Është shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare. Ka qenë operacion në proces por veprimet kanë qenë në dhjetor kur u përzu ambasadori. Mund të dalin të tjerë. E quaj një punë inkurajuese që ka bërë policia e shtetit, drejtoria e anti terorrit. Kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe kanë ngjallur një besim ndërkombëtar.

Këtu vihet re edhe lidhja e terrorizmit me krimin e organizuar. Lidhja e shërbimeve sekrete me krimin e organizuar. Shërbimi sekret iranian rekruton njerëz të botës së krimit. Nuk është metodë e re. Shërbimet sekrete e ruse e kanë përdorur.

Dyrmishi: Është një lojë informimi, dhënie mesazhi që këto persona tashmë janë identifikuar. Ruajtja e anëtarëve të MEK është një detyrë shtetërore. Por nuk është se Irani e konsideron shfarosjen e tyre si objektiv parësor. Është një objektiv jashtë mundësive. Më shumë është grumbullimi i informacionit, penetrimi i tyre. Interesi është politik. Arsyeja që SHBA-të i kanë mbështetur si organizatë, shihen si alternativë politike e qeverisë aktuale në Iran.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb