Intervistë me z. Huanqin Xiao, CEO i Bankers Petroleum Albania
“Injektimi i Avullit, projekti ynë ambicioz që do të ndryshojë Patos-Marinzën”

Si ishte performanca e Bankers në vitin 2022 në lidhje me prodhimin, shitjen dhe investimet?
Në vitin 2022, industria e naftës shënoi një ecuri të luhatshme. Tek Bankers, prodhimi mesatar i naftës arriti në 9,267.1 fuçi naftë në ditë. Në fund të tremujorit të katërt, kishim 400 puse prodhimi të naftës në fushën e naftës së Patos-Marinza. Në total, Bankers prodhoi 540 mijë tonë në vitin 2022. Në gjysmën e dytë të vitit 2022, Bankers regjistroi një rritje të lehtë në prodhimin e naftës. Çmimi mesatar i Brent për vitin 2022 ishte rreth $101.3 për barel, ndërsa çmimi i realizuar nga Bankers ishte $84.87 për barel. Shitjet në tregun e eksportit ishin një pjesë e rëndësishme e shitjeve totale, llogariten rreth 96%. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2022, çmimet e Brent ra në një mesatare prej $91 për barel, kjo çoi në një ulje të të ardhurave të Bankers gjatë këtij periudhe. Shumica e shitjeve vazhduan të drejtoheshin drejt tregut të eksportit, tregu i cili varet nga tregjet ndërkombëtare.

Si është performanca për këtë vit dhe çfarë pritshmërive keni për vitin 2023?
Për vitin 2023, mund të konfirmojmë se tendenca ka qenë pozitive në terma të prodhimit dhe shitjes. Në fund të vitit, planifikojmë të mbajmë nivelet e prodhimit në ato të vitit 2022 pa shënuar rënie, ndërkohë që kemi plane ambicioze për të nisur një projekt prodhimi përmes injektimit me avull në fushë. Gjatë gjithë vitit, parashikojmë që prodhimi të mbetet në 515 mijë tonë, dhe synojmë të hapim 28 puse të reja, përfshirë 4 puse termalë. Kjo teknologji e re, e përdorur nga kompani të njohura ndërkombëtare, do të na ofrojë një mundësi të re për të rritur prodhimin e naftës në fushën e naftës së Patos-Marinza. Nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet që injektimi me avull të fillojë në tetor të këtij viti, pasi të instalohen makineritë e nevojshme për këtë proces, të cilat do të importohen.

A përballeni me probleme në rekrutimin e forcës punëtore të kualifikuar dhe punonjësve në përgjithësi?
Gjatë viteve që kemi operuar në Shqipëri, mund të themi se ky vend ka një rini dinamike dhe ambicioze të gatshme për të mësuar dhe për të kërkuar vazhdimisht rritje dhe zhvillim karriere. Sfidën e kemi në kurrikulat universitare, të cilat nuk janë përditësuar në mënyrë të plotë për t’u përputhur me avancimet teknologjike dhe kërkesat e tregut, duke lënë kështu diplomuarit në fushën e industrisë së naftës me mangësi praktike dhe mungesë të përshtatjes me kërkesat e biznesit. Megjithatë, si kompani, kemi pasur një bashkëpunim të gjatë me Universitetin Politeknik, ku ofrojmë mundësi praktikash për studentët, duke i mundësuar atyre të njihen me teknologjitë dhe praktikat më të fundit në industrinë e naftës. Jam krenar të them se shumë nga këta studentë nga ky program janë tani punonjës të kompanisë tonë.

Cilat janë tregjet potenciale për eksportin e naftës suaj?
Aktualisht, Bankers eksporton pothuajse të gjithë naftën e prodhuar në Patos-Marinza sepse nuk ka kapacitete përpunimi brenda vendit. Është në interesin e Bankers të shesë produktin në tregun vendas, pasi kostoja e shitjes (përfshirë transportin dhe tarifat e tjera) do të ishin shumë më të ulëta. Megjithatë, në një situatë ku mungojnë rafineritë e mëdha, nafta e bruto eksportohet. Tregjet më të rëndësishme të eksportit qëndrojnë në Europë, me Spanjën dhe Italinë që kryesojnë.

Si ka ndikuar zhvlerësimi i valutave të huaja kundrejt monedhës vendase në biznesin tuaj?
Rreziku i tregut, i cili përfshin edhe këmbimin e valutave të huaja, është prezent kur kryhen operacione të huaja. Nafta bruto shitet në USD, ndërsa kompania ka transaksione në LEK kur paguan furnizuesit vendas, pagat për punonjësit dhe taksat. Rënia drastike e EUR dhe USD në gjysmën e parë të vitit 2023 ka pasur një ndikim negativ në kompani prej afërsisht $3 milionë.

Cilat janë planet tuaja të ardhshme për investime dhe rritje?
Ambicia jonë është të investojmë në teknologjitë më të fundit në fushën e naftës së Patos-Marinzës dhe të rrisim prodhimin dhe potencialin e kësaj pasurie të rëndësishme për vendin. Siç përmenda më parë, injektimi i avullit është një projekt ambicioz që kemi në Patos-Marinzë, i cili, nëse kryhet sipas planit, do të rrisë ndjeshëm prodhimin e naftës nga kjo fushë. Ne jemi të vetëdijshëm se Patos-Marinza është aseti më i madh për prodhimin e naftës në Shqipëri dhe për këtë arsye nuk kemi ndaluar së investuari, jo vetëm në operacionet e hidrokarbure, por edhe në mjedis dhe komunitetet përreth. Trajtimi i mbetjeve hidrokarbure është tashmë një projekt që është në zhvillim, ku aktualisht po I trajtojmë në furrat e çimentos në Fushë-Krujë.

Pas marrjes të të gjitha lejeve të nevojshme nga autoritetet përkatëse, do të ngremë njësinëe trajtimit të mbetjeve hidrokarbure (pa ndikim në mjedis) në fushën e naftës së Patos-Marinza, një investim që nuk është kryer më parë në Shqipëri.

Ndërkohë, kemi një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale dhe çdo vit alokojmë fonde të konsiderueshme për ndërtimin e rrugëve, shkollave, hapësirave të gjelbra, etj., për banorët e komuniteteve ku operojmë.

Si e vlerësoni mjedisin e biznesit në vend dhe cilat janë sfidat kryesore? Çfarë duhet bërë për të reduktuar pengesat e biznesit?
Mjedisi i biznesit në Shqipëri shfaqet premtues, veçanërisht në sektorin e naftës, me mundësi për rritje dhe inovacion. Megjithatë, ka disa sfida që duhen adresuar për të përmirësuar më tej klimën e biznesit. Këto përfshijnë zbatimin dhe përditësimin e rregulloreve për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare dhe për të promovuar lehtësinë e bërjes së biznesit, investimet në infrastrukturë, sidomos në transport dhe energji, për të zvogëluar kostot operative, arsimin dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, zvogëlimin e korrupsionit, etj. Adresimi i këtyre sfidave do të jetë i rëndësishëm në krijimin e një mjedisi më të favorshëm dhe të qëndrueshëm të biznesit në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb