Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me debatin e shkaktuar për marrëveshjen e detit, ku pala greke ka deklaruar se do të marrë 12 milje në detin jon. Përmes një reagimi në ‘Facebook’ Balla ka shuar zërat, ndërsa hedh poshtë dyshimet për një marrëveshje të fshehtë mes dy vendeve për këtë çështje.

E vetmja marrëveshje sipas tij është ajo që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe që është firmosur nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

REAGIMI I BALLËS

Meqenëse PD-LSI vazhdojnë të konsumojnë në publik çorbën e prishur që po vetë e gatuajnë, lidhur me “marrëveshjen e fshehtë të detit me Greqinë”, po rikujtojmë se për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë sepse nuk kanë asnjë vlerë.

Këto marrëveshje firmosen mes qeverive dhe ratifikohen në parlamentet përkatëse. Prandaj gjoja-marrëveshja e re e gatuar në kazanin pa atdhe të PDLSI, nuk ekziston aspak. ËSHTË GËNJESHTËR.

E VETMJA MARRËVESHJE NË LETËR, bashkë me firmat dhe vulat e tyre, ËSHTË MARRËVESHJA E FIRMOSUR NGA BERISHA DHE BASHA, e mbështetur nga ILIR META SI PASARDHËS I LULIT DHE MINISTËR I SALIUT.

Ajo marrëveshje cenonte interesin kombëtar, prandaj Partia Socialiste vendosi ankimimin e saj në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata e rrëzoi marrëveshjen e Lulëzimit, Saliut dhe Ilirit, me rezultatin e qartë 9 me 0. Prokuroria bëri sikur e hetoi, por e mbylli pa e filluar. Pa marrë në pyetje as vasalin firmëshkrues e as vulëvënësin.

Madje për turpin e PD-LSI, kryekuzhineri i tyre Sali Berisha vazhdon ta mbrojë për turp këtë marrëveshje të rrëzuar, që i hiqte Shqipërisë 354,4 km2 hapësire detare”, shkruan Balla.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb