TIRANE-E thirurr si dëshmitare, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka rrëfyer detaje të reja për çështjen ‘Shullazi’.

‘BalkanWeb’
mëson se Nikolla tregoi se si ishte vënë në dijeni që Emiljano Shullazi kishte kërcënuar rektorin të UT-së, Mynyr Konin, në atë kohë dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Mes të tjerash në dëshminë e saj, Nikolla tregoi një version tjetër, ndryshe nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri se si ishin njohur me kërcënimet ndaj akademikëve. Ajo pohoi se ka qenë në një zyrë në Gardën e Republikës, bashkë me Tahirin, Dhori Kulen, Çakon dhe Ervin Hodajn, në kohën kur Berisha bëri denoncimin e tij në media për këtë çështje.

“Ishte Majlind Keta që më njoftoi për ngjarjen. Mora në telefon zotin Kule dhe më shpjegoi lidhur me kërcënimin ndaj Konit dhe ndaj tij. Kam kërkuar takim me zotin Çako dhe menjëherë ai më la takim tek Garda. Aty erdhi dhe ministri Tahiri, Kule, Hodaj. Ndërsa ishim në takim me Tahirin, Berisha doli në konferencë për shtyp dhe dha detaje nga kërcënimi.”, kështu mësohet të jetë shprehur Nikolla, shkruan ‘BalkanWeb’.

Gazetarja e ‘News24’ Klodjana Lala raportoi në një lidhje direkte faktin se kur ish-ministri Tahiri u thirr si dëshmitar për këtë çështje, pohoi se ngjarjen e kishte marrë vesh në media, ku ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi publikisht kërcënimin që kishte marrë Koni nga Shullazi si dhe tërheqjen e tij nga gara.

Duke iu referuar dëshmisë së Tahirit, ai u shpreh në sallën e gjyqit se: “Ngjarjen në fjalë e kam marrë vesh nga denoncimi publik i bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën për mediat”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb