Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkarkoi të dielën një oficer të lartë të ushtrisë që komandonte forcat që luftonin rusët në pjesën lindore të vendit, pa shpjeguar arsyen se pse. Në një dekret me një rresht, Zelensky njoftoi largimin e Eduard Moskalyov nga pozicioni i komandantit të forcave të përbashkëta të Ukrainës të përfshirë në luftimet në Donbas, në lindje.

Moskalyov u emërua në këtë post në mars 2022, menjëherë pas pushtimit rus. Forcat e përbashkëta nuk e përmendën këtë vendim në llogaritë e tyre në mediat sociale. Ushtria ruse po përqendron përpjekjet e saj në pushtimin e dy rajoneve që përbëjnë Donbasin. Presidenti Zelensky e përshkruan situatën atje si të vështirë dhe të dhimbshme në javët e fundit. Qendra e luftimeve është qyteti i Bahamutit, për të cilin dy palët ndërluftuese publikojnë versione krejtësisht kontradiktore të situatës në rajon.

Ndërsa burimet ruse thanë se fshati Yakhodne, në jug, në rrugën për në Sloviansk, tani është pushtuar, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se sulmet ruse mbi të ishin zmbrapsur. Kapja e këtij komuniteti do t’i hapte rrugën forcave ruse për të arritur në fshatin Chromovye, përmes të cilit kalojnë furnizimet për trupat ukrainase në Bakhmut. Të dyja palët konfirmuan luftimet rreth fshatit Ivanivske, në rrugën për në Kostanivka, në perëndim të Bakhmut. Vetë Bahamuti cilësohet si ‘thertorja’ më e madhe e luftës, për shkak të masakrave që janë bërë në këtë vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb