TIRANË

Fillimi i muajit shtator po shoqërohet me një fluks tepër të madh urgjencash qoftë në atë pediatrike dhe në atë adulte në QSUT. Mjekët e quajnë jonormale këtë situatë pasi sipas tyre në 10 ditët e fundit ka pasur një dyfishim të menjëhershëm të numrit të urgjencave.

Burime për News24 pohojnë se në 24 orët e fundit numri i urgjencave të paraqitura në pediatrinë e QSUT e kalon shifrën e 460 rasteve, baras me dyfishin e fluksit normal për sezonin.
Por ajo që shqetëson më shumë mjekët është numri tepër i lartë i patologjive gastrointestinale me simptoma të tilla si prerje të forta të barkut, diarre të shpeshta shoqëruar me të vjellja dhe temperaturë të lartë. Të njëjtat burime pohojnë se ka pasur edhe forma më të rënda të sëmundjes me hemorragji në jashtëqitje.

Ndërkohë i gjithë fluksi aspak normal i ngarkesës në punë bie mbi 2 mjek dhe 3 infermierë që shërbejnë në urgjencë në një kohë që Ministria e Shëndetësisë ka lajmëruar hapjen e parakohshme të qendrave shëndetësore 24 orëshe për urgjencat pediatrike, konkretisht: Qendra Shëndetësore nr. 7 në Laprakë, Qendra Shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut dhe Qendra Shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut. Por qytetarët vijojnë ti bien shkurt drejt e në QSUT.

Në morinë e urgjencave ka edhe fëmijë emigrantësh që bashkë me prindërit kanë ardhur për pushime. Në biseda me mjekët mësojmë se dyfishimi i urgjencave si dhe shtimi i rasteve me gastrointerite ka nisur thuajse në të njëjtën ditë në të dy urgjencat, afër 1 javë më parë.

Ka pasur raste kur e gjithë familja ka përfunduar në urgjencë me të njëjtat simptoma, diarre për disa ditë, temperaturë që shkonte deri në 40 gradë dhe të vjella të shpeshta. Po kështu ka fakte të dokumentuara në regjistrat e urgjencës që tregojnë se shumica e fëmijëve me gastrointerite vijnë nga lagjet periferike, si Shkoza, Bregu i Lumit, Paskuqani, Astiri, Sauku etj.

E njëjta situatë shqetësuese raportohet edhe në urgjencën e infektivit për adultë në QSUT, ku numri i urgjencave llogaritet dyfishë më i lartë se normalja. Mjekët pohojnë se numri i urgjencave në 24 orë ka arritur në mbi 250 raste nga 150 që është mesatarja stinore.

Në reagimin e disa ditëve më parë profesor Tritan Kalo bëri thirrje që të respektohet zinxhiri i sistemit të referimit pasi dyndja në urgjencë shton riskun për gabime mjekësore dhe mund të rikthejë konfliktet mjekë-pacientë.

Nga mjekët mësojmë se ISHP ka marrë një numër të madh mostrash për t’i analizuar në laboratorët e saj. Deri më tani asnjë institucion shëndetësor nuk di të thotë në rrugë zyrtare se cili është burimi apo rezervuari i infeksionit që në një kohë të shkurtër afër 1 javë po kthehet në një vatër epidemike në Tiranë, të sëmundjeve gastrointestinale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb